Telegrafi

Frattini: Jemi të interesuar për centrale bërthamore në Shqipëri

Në një intervistë televizive dje në mbrëmje, Kreu i diplomacisë italiane u ndal te prania ekonomike e investitorëve italianë në Shqipëri duke veçuar interesin e Italisë për të bashkëpunuar në projekte për energjinë bërthamore.

"Vizita e fundit e Kryeministrit Berlusconi në Tiranë dëshmon se ne duam të bëjmë shumë më tepër në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, përshembull në infrastrukturë dhe në bashkëpunimin për energjinë. Ne jemi shumë të interesuar për zhvillimin e energjisë bërthamore", tha ministri Frattini.

Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "edhe Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me disa projekte strategjike, të cilat janë shumë të rëndësishme".

"Italia po ribën një strategji për ndërtimin e centraleve bërthamore dhe po bisedojmë me një vend mik dhe fqinj, si Shqipëria për të bashkëpunuar për këtë gjë, sigurisht bazuar në tekonologjinë e fundit bërthamore, që është shumë e sigurt. Po e vlerësojmë dhe arsyetojmë këtë projekt. Di që janë vendosur disa kontakte me Enelin, që është shoqëria e interesuar për këtë dhe kryeministri Berlusconi i’u referua kësaj ideje gjatë vizitës në Tiranë", tha Frattini.

Nga ana ekonomike, ministri Frattini vuri në dukje se "Italia përfaqëson më se 35 për qind të të gjithë ndërkëmbimit të Shqipërisë me vendet e tjera, pra ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim".

I pyetur lidhur me impaktin që krijon ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, Ministri Frattini theksoi se "ndërtimi i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm edhe për faktin se i hap rrugë investimeve italiane në Kosovë". /ATA/