Telegrafi

“Frati i Hotit”, si At’ Benardini i “Visareve të Kombit”

Nga: Frano Kulli

At Kolë Berisha vjen pa mëdyshje e hyn në aradhen e “Françeskanëve të M’dhaj”, jo për hatër, por sepse ka vendin e vet aty; atë vend ai e ka “zanë” me veprën e vet. Një aso vepre që se ka peshën e veprës së Fishtës a Prendushit, Harapit a Pal Dodajt, Justin Rrotës a Martin Gjokës, me të vërtetë …

Por, që ai është përvijues i denjë i At’ Benardin Palajt e Donat Kurtit po. I atyre dijetarëve e zelltarëve të mëdhenj, që i sollën albanologjisë shqiptare e folklorit në veçanti “Visaret e Kombit”, të pavdekshme dhe “Përrallat kombëtare”.

Të parët studiues, që i kodifikojnë ato vlera të trashëgimisë sonë dhe i kthejnë nga gjendja orale (gojore) e tyre në një kolanë botimesh të mirëfillta studimore e shkencore, duke ruajtur gjendjen e tyre burimore, pra autenticitetin e tyre, është libri “Visaret e kombit”. Mbledhë e kodifikue prej At Benardin Palaj e At Donat Kurtit. Dy françeskanë, të cilët në misionin e tyre kulturor atdhetar, kishin eksploruar në imtësi dhe më pas i kishin përmbledhur hulumtimet e tyre në librin e sipërpërmendur, “Visaret e Kombit”. Me nëntitullin: “Kangë kreshnikësh dhe legjenda”, libri përmban këngë kreshnikësh dhe legjenda, të mbledhura dhe të redaktuara nga dy autorët e sipërpërmendur. Çka do të shënonte edhe të parën punë të mirëfilltë studimore moderne në këtë fushë. Do ta vijojnë këtë punë-mision edhe prof. Karl Gurakuqi e Filip Fishta. Edhe ata, referuar teksteve të botuara tashma, i përgatisin për botim dhe ia paraqesin lexuesit të interesuar të zgjedhura e të komentuara. Kurse i gjithë korpusi, përgjatë atij viti jubilar, pra 1937, përmbush 15 vëllime (gjithnjë nën titullin “Visare të kombit”) me krijimtari folklorike, tashmë jo vetëm nga eposi, por nga të gjitha zhanret e kësaj fushe të krijimtarisë së popullit, me një shtrirje nga e gjithë bota shqiptare, nga veriu në jug si dhe nga shqiptarët e Greqisë dhe Arbëreshët e Italisë.

“At Bernardini ishte frati i kangvet”, do të thoshte për tê Ernest Koliqi. Nuk e dij se kush pat thanë qi gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Balkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis asht populli i ynë. Kjo e vërtetë, më shëndriti para syve të mendes në Palç, fshat në krahinën e Nikaj-Merturit në qelën e Fratit të Kangve. Ai, në vetmin e gjatë të malit, i ka vu veshin kangës së pashtershme qi buron shi nga zemra ma e thellë e kombit arbnuer edhe ia ka rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhunuene të qelës së Palçit, flen fara e prendvernave të përtardhuna të poezisë re shqiptare.

Porse kjo ka qenë “zeja” e krejt “Françeskanve të mdhaj” të Shqipërisë. E atyre meshtarëve, famullitarë të malësive kryesisht, që sot e kurdoherë përbëjnë një copë ashti të kombit … At’ Kolë Berisha, njëri prej tyre, fort i shënjuar në këtë “zeje”. Edhe sikur të mos keshë pasë rastin me i pá krejt “turrat e letrave të zverdhuna” të At Kolës, por vetëm disa prej tyre e le ma pastaj të kesh shfletuar disa prej shumë daktiloshkrimeve, që ai i ka lanë fort bukur të sistemuara aty në një odë në Kuvendin françeskan të Tuzit, përqasja me përshkrimin e Koliqit për “Fratin e kangëve”, At Benardin Palajn, të vjen vetvetishëm. Ngjasimin e përshkon i njejti fill: hulumtimi, përmbledhja e kodifikimi i thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare. Dikush këngët e vallet, ekstratin shpirtnor të popullit, e dikush tjetër pa interferue te pararendësi, të tjera dhunti të kulturës doksore e zakonore shqiptare. Po edhe të kulturës materiale, jo shpirtnore të saj. Pader Kola na vjen si vijimtari i shenjuar i kësaj tradite. Librat e botuar por, po aq lënda që ka lënë të daktiloshkruar, edhe pa iu nënshtruar një rendi të mirëfilltë studimor, por vetëm një vozitje përkitazi, ta ngulisin të përplotë mendimin se ato janë punë të mirëfillta ditunore, ardhur prej hulumtimeve të gjata, sidomos nëpër male, ku jeta gëlonte “shtirë” (si thonë malsorët) si lulja në gur. E prap të ndërmendet Koliqi, teksa përshkruan impresionet e veta prej vizitës që i bënte mikut të vet, At Benardinit: “… Ato çasa të shkurtë trishtimi midis malesh më bajnë të mendoj vetmín e kishtarve, të mësuesve, të nëpunsave t’anë qi jetojnë nder vise ma të humbuna t’atdheut. Sidomos merzija e gjatë dimnore, kur bora për gjashtë muej pret çdo marrëdhanje me qytete, tham do të jetë e tmerrshme. Por ndoshta e shumta mësohen. Ata qi nuk mund të mësohen në shkretí, vuejnë, por sigurisht ua lehtëson vuejtjen vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë”.

Njëjtë, për nga thelbi i përshkrimit dhe ndjesive që përftohen prej tyre janë edhe përshkrimet e At Kolës, rrugës për në Toplanë të Dukagjinit … Pak vite ma vonë, pesë a gjashtë, saktësisht në vitin 1943, kur prej Kuvendit françeskan të Shkodrës, Provinçiali e cakton me shkue famullitar në Toplanë. At Anton Harapi, ai që e kishte bashkëshoqërue në Meshën e parë, bash në Priften, në katundin e vet, me 15 gusht 1942. Meshën e parë në ditën me shêj për atje, ditën e Zojës së Grudës. Ditë feste e shéndi, feste që lutej me miq … Në Toplanë duhej me mrritë natën e Shënkollit, me 5 dhjetor. Dimër, borë e akull, cerm si nalt ndër male. I lodhun fort prej udhëtimit të mundimshëm. Mbramja përreth zjarmit shtrue në sofër me të mirat e Zotit, me mish e me raki deri në mesnatë. E, mikpritësi ku kishte me bûjtë, të gatshëm me e zbardhë këso dore … Por, me padijen gati pagane të tyre, se për fratin, që nesër ka me thanë meshën e ditës së festës së urdhnueme, mesnata duhet me e gjetë të çuem pres sofret. Kaq shumë mundime sa fratin e bajnë me ndie si nji trandje prej peshës së kryqit përmbi shpinë … I ndamë me malet, larguar prej andej qysh në fëmininë e herëshme, vaditë [mësuar, përshtatur] me jetën qytetëse në Shkoder e në Siena e Romë, sigurisht nuk ishte e kollajtë për té. Vetmia e atjeshme ku e ku me jeten rregulltare, plot larmí në Kuvendet françeskane. Por, siç qëmton mjeshtri, Koliqi, “vuejtjen ua lehtëson vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë”. Njëjtë si me krejt bashkëvllaznit e vet françeskanë, destini kryesor i të cilëve qe shërbesa meshtarake në male.

16 muaj shërbeu në Toplanë, Pader Kola. Mandej, për 30 vjet meshtarí në Traboinë të Hotit. Përpos punëve të meshtarisë, mbledh si bleta ditë për ditë e stinë për stinë nektarin e shûjten [ushqimin] e jetës atje. Mbledh doke e zakone, pa ja dá, njeh e shënon virtyte po edhe vese të gjendjes së atyshme. Me njet e me devocion, me shumë dashni e pa aspak zéher (helm) … “Mos mendo, o nieri, se k’to gjana i shkrova për me naltue vedin …” vijon një kumti i tij përmbyllës i veprës që ka lënë. E begatë sa s’bëhet dhe e përzgjedhun. Sofrat në Malësinë e Madhe, ndér e burrni ndër malet tona, rrjedha e disa shprehjeve popullore, kajde e dyzene, Visare të Malësisë, kangë e vaje, të përgatitura e botuara e shumta mbasi ai është nisë për në amshim, nën përkujdesjen sqimatare të dr. Gjovalin Gjeloshit. E të tjerat: Mullijtë e Cemit, kisha të vjetra në Shas e Malsi, Varia: Etnografi e histori (në tre volume) kangë heroike, dyzenet e çudnarëve… Një “turrë e madhe e letrave të zverdhuna”, që presin dorën e përkujdestarit, Gjovalinit. Sigurisht me bekimin e përkrahjen e Pader Pashkut (Gojçaj), të Provincialit të sotshëm të Provincës françeskane shqiptare. E përpos tyre, një album me foto, kohëshkrepja e të cilave shtrihet në rreth 4 dekada. Relike të çmueshme e një pasuri e begatë e trashëgimisë kombëtare, ardhur e shënjuar si punë të papërsëritshme në thesarin kombëtar, të njërit prej “Françeskanëve të Mdhaj” që shkëlqejnë me veprat që lanë, At’ Kolë Berishës.