Telegrafi

Frankfurti dhe Barca luajnë baras, gjysmëfinalisti vendoset në Camp Nou

(Foto: Twitter/Barcelona FC)

Barcelona ka nxjerrë një barazim (1-1) si mysafir i Eintracht Frankfurtit në stadiumin ‘Deutsche Bank Park’ në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Evropës.

Të dyja skuadrat i patën rastet e tyre në fraksionin e parë të lojës, mirëpo pas 45 minutave, rrjetat heshtën.

Me të filluar gjysma e dytë, një top i pa pastruar mirë arriti në këmbët e Ansgar Knauff jashtë zonës dhe ai nuk mendoi dy herë duke dërguar një goditje që u ndal në rrjetën e portës së Marc-Andre ter Stegen.

(Foto: Twitter/Barcelona FC)

Goli i barazimit erdhi në minutën e 66-të kur pas kombinimeve me Frenkie de Jong, Ferran Torres i nivelizoi shifrat.

Rezultati i barabartë lë gjithçka të hapur, megjithëse Barcelona është favorit ndaj Eintracht Frankfurtit, pasi ndeshjen e kthimit e zhvillon para tifozëve në Camp Nou. /Telegrafi/