Frank Lampard është bërë një ‘kandidat surprizë’ për të marrë drejtimin e kombëtares së Kanadasë sipas një raportimi të ri.
Mediumi anglez The Telegraph ka pretenduar se Federata e Futbollit të Kanadasë e ka vendosur Lampardin në listën e ngushtë të kandidatëve para Kupës së Botës 2026, aty ku ata do të jenë nikoqir së bashku me Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ish-reprezentuesi i Anglisë ka qenë i papunë që prej periudhës së pasuksesshme tek Chelsea si trajner i përkohshëm.
Raporti shton tutje se Kanada dëshiron të mbajë bisedime me Lampardin, teksa 45-vjeçari është i etur për t’u rikthyer përsëri në stol nëse i prezantohet mundësia e duhur.
Lampardi kaloi një vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të karrierës si futbollist aktiv tek New York City, por ai kurrë nuk ka drejtuar ndonjë ekip jashtë shtetit.
Ai është parë i pranishëm në seancat stërvitore të Anglisë para dy ndeshjeve miqësore në muajin mars ndaj Brazilit dhe Belgjikës, teksa ka qenë i pranishëm edhe në ndeshjet e Chelseat.
Në një prononcim të shkurtër për The Telegraph, Lampard kishte konfirmuar qëllimin e tij për t’u rikthyer përsëri në stol.
“Po e shijoj kohën me familjen time dhe po synoj që të rikthehem përsëri në një pikë”, ishte shprehur Lampard./Telegrafi/