Site icon Telegrafi

Franco Foda: Jemi gati për Armeninë, duam fitore

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme (e premte) ndaj Armenisë, ku ka treguar se ndihen gati dhe janë të përgatitur për këtë ndeshje.

Kosova do të luajë nesër ndaj Armenisë në takimin që është paraparë të zhvillohet në ‘Vazgen Sargsyan Republican Stadium’ të Yerevanit, me fillim nga ora 17:00.

Për këtë ndeshje ka folur përzgjedhësi Foda, i cili është i kënaqur me stërvitjet e lojtarëve dhe sipas tij të gjitha janë në gjendje të mirë për ndeshjen e nesërme.

Trajneri gjerman gjithashtu ka treguar se nuk sheh favorit në këtë ndeshje, por se Kosova është gati për të fituar.

Lexo po ashtu Kush është Armenia, kundërshtari i Kosovës? Lojtarët, vlera e ekipit dhe forma

“Kemi pasur disa stërvitje të mira në Prishtinë ndonëse koha nuk ka qenë e gjatë dhe e përshtatshme. Sido që të jetë lojtarët kanë qenë në formë të mirë, janë përgatitur mirë dhe janë në gjendje të mirë fizike. Amir Rrahmani dhe Milot Rashica kanë pasur disa probleme të vogla muskulore, por tashmë të dy janë mirë dhe do të jenë në stërvitjen e sotme këtu dhe besoj edhe në ndeshjen e nesërme”, ka thënë fillimisht Foda në konferencë.

“Armenia dhe Kosova kanë lojtarë shumë të mirë sidomos teknikisht dhe që të dyja kanë paraqitje solide. Në tri ditët e fundit jemi koncentruar në aspektin taktikë. Do të luajmë në mënyrë sa më agresive dhe të sulmojmë sa më shpejt”.

“Nuk e di se kush është favorit i ndeshjes, por e di se jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe duam ta fitojmë këtë dhe çdo ndeshje tjetër”, përfundoi trajneri gjerman. /Telegrafi/

Exit mobile version