Site icon Telegrafi

Franco Foda e nis me fitore aventurën te Kosova, ‘Dardanët’ mposhtin Armeninë

Kosova ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në miqësoren ndaj Armenisë e cila u zhvillua në Yerevan, dhe ishte e para për përzgjedhësin gjerman Franco Foda në krye të ‘Dardanëve’.

Kosova pati iniciativën në pjesën e parë, duke organizuar disa aksione të mira dhe në fund ato përpjekje u shpërblyen me gol.

Milot Rashica (25’) shënoi për 1-0 pasi fillimisht Edon Zhegrova godet traversën dhe nga topi i kthyer Rashica e çoi topin në rrjetë.

‘Dardanët’ patën edhe një mundësi të mirë shënimi kur Edon Zhegrovën dhe Milot Rashicën para fundit të pjesës së parë, por nuk arritën ta gjejnë golin.

Kosova shfaqi dominimin e plotë edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes, duke rrezikuar në disa raste seriozisht portën e Armenisë, por duke mos arritur të gjejnë golin.

Leart Paqarada (52’) bëri një krosim të mrekulleshëm në zonë për Vedat Muriqin i cili nga afërsia nuk arriti të shënojë me kokë.

Vetëm tre minuta më vonë lojtari vendas Hovhannisyan (55’) e largoi topin nga vija e portës duke evituar autogolin dhe golin e dytë të Kosovës.

Mundësia më e artë për gol në këtë ndeshje i takoi Rashicës, i cili në minutën e 66-të nuk u tregua i saktë ballë për ballë me portierin.

Deri në përfundim të ndeshjes Kosova e menaxhoi mirë epërsinë e krijuar në pjesën e parë duke marrë fitoren e parë nën drejtimin e Franco Fodës.

Kosova do të rikthehet në aksion përsëri ditën e martë, ku për kundërshtar do ta ketë Hungarinë./Telegrafi/

Exit mobile version