Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, bëjnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë dhe çmimi i më të mirit për javën e 16-të i ka takuar futbollistit të KF Llapi, Francisco Rivera.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Berat Berisha, Lulzim Rrmoku, Sheremet Isufi.
Rivera pati paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen kundër Ballkanit, duke qenë njëri nga më të merituarit me dy gola të shënuar në fitoren e Llapit në Suharekë me rezultat 4-1.
Çmimin “Ylli i Javës” për Riveran e ndau Ermira Muçiqi, nga Departamenti i financave në Albi Mall.
Pas kurorëzimit me çmimin e futbollistit më të mirë të javës, futbollisti i llapjanëve u shpreh i lumtur që e ndihmoi skuadrën e tij në fitoren kundër kampionëve në fuqi.
“Jam i lumtur që e ndihmova ekipin tim për të realizuar fitore ndaj një ekipi të madh si Ballkani. Fitorja është rezultat i punës dhe angazhimit që po e bën i tërë ekipi çdo ditë”, ka thënë fillimisht Rivera për faqen zyrtare të FFK-së.
“Nuk e filluam mirë këtë kampionat, por nga ndeshja në ndeshje jemi duke u përmirësuar dhe mendoj se tashmë 11-shja më e mirë tashmë është gjetur. Në ndeshjen e fundit kemi pasur një kimi dhe jemi kuptuar shumë mirë me njëri-tjetrin”.
“Besoj se jemi në rrugën e duhur për të realizuar fitore tjera, në mënyrë që të luftojmë sërish për kreun e tabelës, siç kemi bërë çdo vit tjetër”, përfundoi ai.
Pas fitores ndaj Ballkanit, Llapi ndodhet në pozitën e pestë me 19 pikë. /Telegrafi/