Francezja Laurence Van Wassenhove ka paditur gjigantin e telekomit “Orange” për “dëmtim moral dhe diskriminim”, duke pretenduar se ajo është paguar për 20 vjet, por nuk i janë dhënë detyra pune.
Ajo u punësua në vitin 1993, ndërsa kompania funksiononte me një emër tjetër, raporton odditycentral.
Punëdhënësi fillestar ishte i vetëdijshëm se Lawrence vuante nga hemiplegia dhe epilepsia, ndaj asaj iu ofrua një pozicion i përshtatur për gjendjen e saj shëndetësore.
Ajo punoi si sekretare deri në vitin 2002, kur kërkoi një transferim në një rajon tjetër të Francës. Kërkesa u miratua, por vendi i ri i punës, siç pretendon ajo, nuk i është përshtatur nevojave të saj.
Pavarësisht kësaj, kompania i ka paguar punonjëses pagën e saj të plotë për 20 vitet e ardhshme.
Lawrence i bëri thirrje shtetit dhe një organizate kundër diskriminimit ndërsa Orange caktoi një ndërmjetës për të zgjidhur situatën.
“Të jesh i paguar, në shtëpi dhe të mos punosh nuk është privilegj. Është shumë e vështirë të durosh”, tha ajo.
Gjërat gjoja nuk ndryshuan, sepse vazhdoi të vinte rroga, por jo detyrimet e punës.
Avokatët e paditëses pretendojnë se gjiganti i telekomunikacionit në këtë mënyrë “u përpoq ta detyronte të largohej”.
“Ajo ka ngritur padi ndaj kompanisë dhe katër drejtuesve për dëmtim moral dhe diskriminim në punë lidhur me gjendjen e saj shëndetësore”, tha avokati.
Ai pohon se gruaja vuan nga depresioni për shkak të rrethanave të vështira dhe izoluese.
“Të punosh për një person me aftësi të kufizuara do të thotë se ai ka një vend në shoqëri. Njohja. Lidhjet sociale që krijohen”, shtoi ajo.
Gazeta franceze “La Dépêche” ka kontaktuar me Orange dhe në përgjigje thuhet se “është bërë gjithçka që Lawrence të punojë në kushtet më të mira të mundshme”.
Kompania pretendon se ka marrë parasysh “situatën sociale” të gruas dhe se i ka paguar vazhdimisht pagën.
Gjithashtu ishte planifikuar “kthimi në një vend pune të përshtatur”, por kjo nuk u realizua pasi ajo ishte rregullisht në pushim mjekësor. /Telegrafi/