Çdo herë e më shumë dëgjojmë për fshatra pa dyqane, furra dhe kafene. Të rinjtë ikin në qytete të mëdha. Megjithatë në Francë ekziston një trend i ri: kafenetë nëpër të cilat mund të kryeni blerjet dhe të dorëzoni postën e pini një birrë dhe shumë gjëra tjera.
Një shtëpi e vogël me tulla të kuqe, matanë kullës së kishës në Seningham, në pjesën verilindore të Francës, banorët bëjnë “shoping” në diellin e pasdites, transmeton Telegrafi.
Gregori Ben mbush gotën me birrë dhe nuk mund të ndalë buzëqeshjen prapa banakut, gjithmonë duke mbajtur maskën mbrojtëse në fytyrë.
“Jam nga ky fshat, këtu jam rritur dhe tërë jetën e kam kaluar këtu. Ëndrra ime është të punojë në qendër të fshatit për këta njerëz këtu”, thotë Ben.
Dy javë më parë ai bleu një kafene së bashku me Orelen, mikeshën e vjetër me të cilën njihen që nga shkolla fillore. Gregory i ka 25 vjet dhe kurrë nuk ka punuar në fushën e hotelerisë.
“Deri vonë kam punuar me kështjella të fryra me të cilat argëtoja fëmijët. E para kësaj kam punuar si postier. Por me këtë profesion gjithçka ka marrë fund – për shkak të kafenesë”, ka shtuar ai.
Lokalin të cilin Gregori e menaxhon është e gabuar ta quajmë kafene e rëndomtë, sepse “Trial Cafe”, quhet sipas shtegut të çiklistëve të fshatit dhe ofron shumë më tepër: përveç banakut me frigoriferin me djathë mund ta gjeni edhe sallamin dhe kosin e fermave të këtij fshati.
Në ofertën e tij figurojnë pemët, perimet nga serat e fshatarëve dhe buka “baget” nga furra e fshatit fqinj. Aty ka edhe makarona, miell, salcë domatesh, kafe – pothuajse gjithçka nga dyqani. E në banak mund të dorëzohen ose merren pako të ndryshme që i sjell posta për banorët.
“Para se ta merrnim kafenenë nën menaxhimin tonë kemi bërë një lloj hulumtimi nëpër fshat. Kemi shkuar derë më derë duke i pyetur fshatarët për çfarë kanë nevojë. Bazuar në kërkesat e tyre e kemi furnizuar lokalin me prodhime vendore, me qëllim që t’i gëzonim klientët tanë”, ka shpjeguar Gregori.
Silviane që jeton shumë afër kishës, është kliente e rregullt e kafenesë që nuk ka hezituar të thotë se “mbretëron një atmosferë e mrekullueshme në kafene dhe se sipas saj mund të pi sërish me miq”, e kjo asaj i ndihmon shumë.
“Të marrim shembull, sot nuk kam pasur kohë të përgatisë drekën. Porosita dy sandviçë të mëdhenj”, thotë kjo pensioniste e cila përveç sandviçëve, blenë edhe djathë nga Nojshateli, vend ky në jug të Normandisë.
Serg jeton disa fshatra më larg. Ka vozitur motoçikletën dhe kalimthi ka parë tarracën e re, dhe është ndalur me miqtë për t’u freskuar me një pije.
“Kjo kafene po i rikthen jetën fshatit. Kur nuk ka kafene dhe dyqane, zhduket edhe jeta. Tani jam me miqtë për të pirë nga një birrë dhe kjo është ajo çfarë e bën jetën interesante”, ka shtuar Serg.
Fakti që fshati Seningham me 750 banorë, tani ka një vend të tillë, nuk është vetëm meritë e Gregorit dhe Orelias, por edhe e kryetarit të fshatit, Christian Tellier.
“30 vite më parë kemi pasur pesë kafene, por i fundit ishte mbyllur në vitin 2013. Kështu këshilli vendosi të blejë licencën e fundit gastronomike”, thotë Tellier nga zyra e tij e vogël jo larg kafenesë.
Tentimi i parë kishte rezultuar i dështuar, por Tellier më pas dëgjoi për “Iniciativën e 1.000 kafeneve” (Mille Cafes) nga një ndërmarrës francez. Regjistroi fshatin e tij dhe mori lejen. Hapësirën e rinovuan me ndihmën e kësaj iniciative, ku është ndërtuar kuzhina dhe tualetet – dhe filluan të kërkojnë blerësin potencial të lokalit.
“Në fund në Iniciativë shqyrtuan se cili kandidat e ka hartuar planin më të mirë. Thelbi i saj ishte të arrihet një lloj bashkimi, që njerëzit të kenë një vend ku do të takoheshin, që më parë nuk e kanë pasur”, ka shtuar Tellier
Gregori ky djalosh nga fshati, e përmbushi këtë kërkesë dhe është i gëzuar që është përzgjedhur. Telefoni i tij nuk ndalet duke cingëruar, e derisa i shërben klientët tenton të mbledh sa më shumë banorë të fshatit për ndeshjen e futbollit. Qëllimi jonë primar është “ringjallja e fshatit”, thotë Gregori.
Të premten kur kopshti më i afërt i fëmijëve u mbyll për shkak të COVID-19, Gregori nxori nga garazhi i tij dy kështjellat me ajër për të argëtuar fëmijët, e prindërit e tyre kanë mundur të shijojnë në qetësi një kafe.
Përveç kësaj, kjo kafene ka licencë për transmetimin e ngjarjeve të ndryshme sportive në televizor. “Me të hapur klubin, Lens ka fituar kundër PSG-së”, ka shtuar ai. Kafeneja ishte e stërmbushur me njerëz nga fshati dhe ishin të lumtur që së bashku me miqtë mund ta shikojnë ndeshjen. /Telegrafi/