Site icon Telegrafi

Francesca Tandoi, AJS Quartet dhe Gunhild Carling iu bashkohen emrave që do të performojnë në tri netët e ‘Mitrovica International Jazz Days’

Festivali Mitrovica International Jazz Days 2024 vazhdon të zbulojë emra të rinj dhe të shquar që do të jenë pjesë e këtij edicioni, duke e bërë këtë ngjarje një festë të vërtetë të muzikës jazz për të gjithë adhuruesit e këtij zhanri.

Një nga performancat më të pritura është ajo e AJS Quartet, të cilët do të ngjiten në skenë më 23 gusht.

Ky grup ka bërë emër me interpretimet e tyre të jashtëzakonshme dhe virtuoze, duke sjellë një përzierje unike të jazz-it tradicional dhe elementëve modernë. Adhuruesit e muzikës jazz do të kenë mundësinë të shijojnë një mbrëmje të mbushur me muzikë brilante dhe atmosferë të paharrueshme.

Në datën 24 gusht, festivali do të kulmojë me performancën e mahnitshme të Francesca Tandoi Trio, që do të kryesojë natën e tretë të festivalit. Francesca Tandoi është një artiste e jashtëzakonshme, një pianiste jazz-i që i jep jetë çdo note, një vokaliste e rrallë dhe një kompozitore që kapërcen kufijtë e muzikës. Trion e saj e karakterizon një përzierje e papërmbajtshme e swing-ut klasik të jazz-it dhe nuancave bashkëkohore, duke krijuar një performancë të fuqishme dhe shpirtërore që do të elektrizojë të gjithë audiencën.

Një tjetër lajm i pabesueshëm për adhuruesit e jazz-it është pjesëmarrja e legjendës Gunhild Carling dhe projektit të saj novator Big Band. Ky performim spektakolar do të realizohet nga MIJD Big Band, nën drejtimin e dirigjentit të talentuar, Edon Ramadani, i cili është lindur dhe rritur në Mitrovicë. Kjo do të jetë një mbrëmje e jashtëzakonshme muzikore që premton të jetë një nga momentet më të veçanta të festivalit.

Mitrovica International Jazz Days 2024 po bëhet një ngjarje e domosdoshme për të gjithë ata që e duan muzikën jazz, duke sjellë në skenë disa prej artistëve më të njohur ndërkombëtarë dhe lokale.

Mos e humbisni këtë mundësi të jashtëzakonshme për të përjetuar një përvojë unike nën tingujt magjepsës të jazz-it. /Telegrafi/

Exit mobile version