Telegrafi

‘Francë 2016’ direkt në “Prishtina Football Fest”

Sheshi “Skënderbeu” do të jetë vendi, ku do t’i kalojnë sportdashësit 30 ditë të kampionatit Evropian.

Kualifikimi për herë të parë i Kombëtares shqiptare në botëror nuk duhet lënë pa festuar. Edhe pranimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA e kanë bërë më madhështor këtë kampionat dhe lirisht viti 2016 mund të quhet edhe vit i futbollit të shqiptarëve.

Si çdo herë kompania KD Events & Communications, e cila për pesë vjet radhazi merret me evente të tilla është përkujdesur që të transmetojë direkt të gjitha ndeshjet e ‘France 2016’.

Të gjitha ndeshjet do të transmetohen direkt në sheshin Skënderbeu, si “Prishtina Football Fest”, ku përpos transmetimit ne ekrane gjigante të ndeshjeve, do të përfshihen edhe aktivitete tjera, si muzikë live, lojëra, efekte speciale, e shumë aktivitete të tjera zbavitëse, që do ta kthejë sheshin në një festë gjigante sportive.

Organizim të veçantë do të ketë në ndeshjen më interesante që shikuesit nuk duhet humbur dhe duhet ta shikojnë në shesh, atë ndërmjet kombëtares së Shqipërisë dhe Zvicrës që lirisht mund të thuhet se është ekip gjysmë shqiptar.

KD Events & Communications, si organizatorja e vetme e ngjarjeve te mëdha sportive dhe ndeshjeve ndërkombëtare, e cila për ketë aktivitet madhor është e licencuar edhe nga UEFA për transmetim LIVE të ndeshjeve zyrtare te EURO 2016 ku do të bëjë transmetimin e ndeshjeve 30 ditë radhazi nga data 10 qershor kur edhe nis kampionati deri më 10 korrik në finalen e madhe, ngjarje kjo e cila organizohet për herë të parë në Kosovë.

Kompania posedon lejen e komunës së Prishtinës për këtë organizim madhështor.