Site icon Telegrafi

Franca zhytet në deficit

Deficiti buxhetor në Francë gjatë këtij viti do të jetë në mënyrë të konsiderueshme mbi limitet e fiksuara nga Bashkimi Europian.

Komisioni Europian i cili ka bërë edhe projeksionet, deklaron se diçka e tillë do të jetë një sfidë e madhe për ekonominë e vendit edhe gjatë vitit 2016 nëse nuk ndryshohen politikat e ndjekura deri më tani. Deficiti buxhetor i vendit, pritet të jetë në 4.1 për qind gjatë këtij viti. Parashikimi për vitin e ardhshëm mbetet në të njëjtat nivele. Në vitin 2013, ministrat e financave të Bashkimit Europian vendosën të shtynin deri në vitin 2015 afatin për të përmbushur objektivat e deficitit.

Limit i vendosur nga Bashkimi Europian mbetet niveli 3 për qind, dhe Franca aktualisht mbetet shumë larg arritjes së një objektivi të tillë. Gjithsesi, gjatë vitit të shkuar, qeveria franceze deklaroi se nuk ishte në gjendje të përmbushte këtë detyrim brenda vitit 2015, duke theksuar se diçka e tillë mund të arrihet vetëm në vitin 2017. Edhe pse Komisioni Europian do të rekomandojë një tjetër shtyrje të këtij afati, Franca rrezikon një gjobë deri në 4 miliardë euro.

Gjithsesi rivlerësimi nga ana e Komisionit Europian të deficitit buxhetor të vendit mbetet më i favorshëm sesa parashikimi i fundit i cili fliste për një nivel në 4.5 për qind gjatë vitit aktual dhe në 4.7 për qind gjatë vitit të ardhshëm. Ministrat e financave të Bashkimit Europian, i kishin kërkuar vendit që të shkurtonte hendekun strukturor me 0.8 për qind të prodhimit të brendshëm bruto gjatë vitit të shkuar.

Shifrat treguan se ky hendek u shkurtua me vetëm 0.4 për qind. Gjatë vitit aktual kjo shifër parashikohet të regjistrohet në 0.3 për qind. Ndërkohë rritja ekonomike në vend pritet të jetë në shifrat e 1 për qind gjatë vitit aktual. Gjatë 2014 rritja u regjistrua në 0.4 për qind.

Deficiti mjaft i lartë dhe rritja relativisht e ulët do ta shtyjnë borxhin publik të vendit deri në 97.1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto gjatë këtij viti, ndërkohë që gjatë vitit të shkuar ky nivel ishte në 95.3 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version