Ministria e Shëndetësisë së Francës ka zbuluar një plan të ri, që përfshin rritjen e çmimit të duhanit dhe ndalimin e pirjes së tij në hapësira publike, duke synuar krijimin e një brezi “pa duhan” deri në vitin 2032.
Një paketë cigare në Francë aktualisht kushton 10-11 euro, por çmimet do të rriten gradualisht, ku në vitin 2025 një pako cigare do të kushtojë 12 euro, ndërsa në vitin 2027, 13 euro, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Raportohet se në përpjekje për të ulur numrin e duhanpirësve, Franca gjithashtu planifikon ndalimin e cigareve elektronike njëpërdorimshe.
Ministri i shëndetësisë së Francës, Aurelien Rousseau, tha se pirja e duhanit është shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme në vend, që rezultojnë në 75 mijë vdekje në vit, duke lënë të nënkuptohet se për synim ka krijimin e një mjedisi pa duhan.
“Pavarësisht këtyre shifrave, pavarësisht realitetit rrëqethës që tregojnë ato, përdorimi i përditshëm i duhanit prek 12 milionë bashkëqytetarë tanë, ose ndryshe një të katërtën e popullsisë së rritur”, shtoi ai.
Sipas Eurostat, përqindja ditore e duhanpirësve në Francë është më e lartë se mesatarja e BE-së.
Rreth 22.2 për qind e njerëzve të moshës mbi 15 vjeç, pinë duhan çdo ditë në Francë, krahasuar me 19.7 për qind në BE.
Një raport i botuar në gusht, zbuloi se Franca humbi më shumë para për jetët e humbura dhe shpenzimet parandaluese për përdorimin e alkoolit dhe duhanit, sesa fitoi nga taksat mbi ato produkte.
Pirja e duhanit i kushton shtetit 156 miliardë euro, thuhet në raport, duke përfshirë vlerën ekonomike të jetëve të humbura, humbjen e cilësisë së jetës për pacientët me kancer të shkaktuar nga pirja e duhanit, dhe shpenzimet shtetërore për parandalimin dhe kujdesin.
Konsumimi i duhanit është gjithashtu shkaku më i rëndësishëm i vdekjeve të parakohshme në Bashkimin Evropian dhe vret rreth 700 mijë njerëz çdo vit. Rreth gjysma e duhanpirësve vdesin para kohe, sipas BE-së.
Shumë vende kohët e fundit janë përpjekur t’i parandalojnë njerëzit nga pirja e duhanit.
Qeveria e Australisë tha se këtë javë do të ndalonte importin e cigareve elektronike njëpërdorimshe, për të parandaluar të rinjtë nga pirja e tyre.
Plani i ri i Francës për luftën kundër duhanit, është në përputhje me trendin e përgjithshëm të përpjekjeve globale për të parandaluar konsumin e duhanit dhe cigareve elektronike. /Telegrafi/