Nuk ka asnjë marrëveshje në horizont për një armëpushim në Ukrainë, tha Pallati Elysee në një deklaratë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron foli me homologët rusë dhe ukrainas.
“Për momentin nuk ka asnjë marrëveshje, por Presidenti [Macron] mbetet i bindur për nevojën për të vazhduar përpjekjet e tij”, thuhet në deklaratë.
“Nuk ka rrugëdalje tjetër përveç armëpushimit dhe negociatave me mirëbesim midis Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi ai.
Telefonata mes Macronit dhe presidentit Putinit ka zgjatur një orë, sipas Pallatit Elysee.
Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Macron ka mbajtur një linjë komunikimi të hapur si me Putinin ashtu edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Duke përfshirë telefonatat e sotme, Macron ka folur me Putinin tetë herë ndërsa me Zelenskyn 17 herë që nga fillimi i agresionit rus muajin e kaluar, sipas llogaritjes së CNN. /Telegrafi/