Qeveria franceze do të detyrojë të gjitha dyqanet me kondicioner ajri “të mbyllin dyert” dhe “të fikin reklamat me ndriçim gjatë natës”, në një përpjekje për të ulur përdorimin e energjisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ministrja e Tranzicionit të Energjisë, Agnes Pannier-Runacher, thotë se është “absurde” që lënia e dyerve të hapura ndërkohë që ajri i kondicionuar është në punë mund të çojë në 20% më shumë konsum të energjisë.
Bizneset që thyejnë ndalimin, që do të hyjë në fuqi në ditët e ardhshme kur Pannier-Runacher të nxjerrë dekrete të reja, do të përballen me një gjobë prej 750 eurosh.
Disa qytete si Bourg-en-Bresse, Lyon, Besançon dhe Parisi kanë tashmë rregulla komunale në fuqi që nga mesi i korrikut, por tani qeveria dëshiron të zgjerojë iniciativën në të gjithë vendin.
Ndërsa një ndalim për reklamat me ndriçim midis orës 1 dhe 6 të mëngjesit zbatohet aktualisht në qytetet me më pak se 800,000 banorë, rregulloret e reja do ta bëjnë atë të zbatueshëm pavarësisht nga madhësia e popullsisë.
ANPCEN, një shoqatë franceze e cila bën fushatë kundër ndotjes nga dritat, tha se sfida vjen në zbatimin e rregulloreve – gjë që aktualisht nuk ndodh vazhdimisht.
Konventa e Qytetarëve për Klimën e presidentit Emmanuel Macron kishte propozuar kufizime edhe më ambicioze, duke përfshirë ndalimin e të gjitha ekraneve të reklamave video në hapësirat publike dhe në transportin publik, por këto ide përfundimisht u refuzuan. /Telegrafi/