Franca do t’u bëjë një nder të veçantë punëtorëve shëndetësorë të cilët vdesin nga Covid-19 ndërsa luftojnë pandeminë, tha të premten presidenti Emmanuel Macron.
Ai tha se një status i quajtur “vdiq në shërbim të republikës” do të krijohej për të nderuar punonjësit publikë që humbin jetën “në rrethana të jashtëzakonshme”, përcjell Telegrafi.
Një status i ngjashëm “vdiq në shërbim të kombit” tashmë ekziston për policinë dhe ushtrinë, ndërsa “vdiq për Francën” është rezervuar për ushtarët dhe civilët e vrarë në betejë.
“Unë dua që ne t’u japim mirënjohjen tonë me një themel të fortë ligjor”, tha Macron në një postim video në Twitter.
Statusi i ri do të lejojë që fëmijët e të ndjerëve të fitojnë të drejtën për të marrë mbështetje materiale dhe morale nga qeveria, tha ai.
Statusi aktual i rezervuar për ushtrinë dhe policinë u jep të drejtë fëmijëve që ata lënë pas për ndihmë financiare për arsimim dhe trajnim në punë, përfshirë shkollimin dhe bursat falas.
Statusi i ri u drejtohej atyre që “në mes të pandemisë kujdesen për jetën e të tjerëve”, tha Macron, duke e quajtur statusin e ri “një akt drejtësie dhe vëllazërie”.
Rrethana të tjera që do t’i jepnin një nëpunësi publik një status të tillë përfshijnë vdekjen gjatë operacioneve të shpëtimit ose manovrave ushtarake. /Telegrafi/