Site icon Telegrafi

Franca do të mbështes FSK-në

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha priti në një vizitë zyrtare me ceremoni ushtarake ministren e Mbrojtjes së Francës, Genevieve Darrieussecq.

Ministri Berisha së bashku me ministren e Francës, kryesuan edhe takimin e përbashkët të dy delegacioneve, ku biseduan për bashkëpunimin e dyanshëm në mes të Kosovës dhe Francës, MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Francës si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Berisha e falënderoi ministren Darrieussecq për bashkëpunimin dhe për ndihmën që Franca ka dhënë dhe po jep për Kosovën, dhe më pas e njoftoi mbi zhvillimet e përgjithshme në Ministri dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, me theks të veçantë për integrimin e gjinisë femërore dhe të komunitetit joshumicë në FSK, si dhe për gatishmërinë e FSK-së që të kontribuoj për paqen dhe sigurinë kudo që ka nevojë, në mënyrë që Kosova të jetë kontribuuese e paqes dhe sigurisë.

Gjithashtu, ministri Berisha i shprehu ministres të Mbrojtjes, interesimin për akademitë dhe shkollat ushtarake franceze, me qëllim të shkollimit dhe trajnimit të oficerëve dhe ushtarëve tanë atje.

Ai po ashtu shprehu dëshirën për arritjen e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në të cilin do të konkretizoheshin aktivitetet e përbashkëta.

Ministrja Darrieussecq ndër të tjera tha se “ rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë i rëndësishëm për Francën, dhe në vazhdimësi jemi krenarë që kemi kontribuar për vendin tuaj. Franca është e kënaqur me të arriturat e vendit tuaj për të ecur përpara. Bashkëpunimi ndërmjet nesh do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen. Atasheu ushtarak i sapo akredituar për Kosovën do të jetë urë lidhëse ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Francës dhe Ministrisë së FSK-së”.

Në fund, të dy ministrat u zotuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe mundësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes për të dyja vendet. /KP/

Exit mobile version