Shteti francez do të realizojë 4,5 miliardë euro kursime në vitin 2017, për të mbajtur deficitin publik nën tre për qind të PBB-së, sikurse është angazhuar Parisi pranë partnerëve të tij evropianë.
Lajmi është bërë i ditur sot nga ministri i Llogarive Publike, Gerald Darmanin.
“Ne kemi gjetur mundësinë për 4,5 miliardë euro kursim vetëm në buxhetin e Shtetit. Ne do të mbajmë fjalën e Francës”, tha Darmanin në një intervistë për “Le Parisien”.
Pushteti ekzekutiv i mëparshëm ishte angazhuar që të ulte deficitin publik në 2,8 për qind të PBB-së këtë vit kundër 3,4 për qind që ishte në vitin 2016, për të kaluar nën nivelin e tre për qind që kërkohet nga traktatet evropiane.
Por Gjykata e Llogarive paraqiti në fund të qershorit një audit që sipas të cilit deficiti publik i Francës mund të arrijë 3,2 për qind të PBB-së në vitin 2017, vetëm nëse ekipi i presidentit të ri, Emmanuel Macron arrin të zhvillojë masa kursimi të paprecedent./Telegrafi/