Telegrafi

Franca pranë Shqipërisë në rrugën integruese

“Ka qenë një punë e gjatë dhe e nevojshme. Është e rëndësishme që Shqipëria të mos ndalojë përpjekjet e saj tani qe vendimi është marrë. Ky i fundit në fakt do të ndiqet me rigorozitet, për t’u siguruar që masat e zbatuara për të përgatitur liberalizimin e vizave do vazhdojnë realisht të aplikohen. Besueshmëria e procesit të liberalizimit ka këtë çmim. Ajo është në interes të të dy vendeve tona”, thekson Kouchner në letrën e tij, ndërsa transmeton Gazeta Start.

Sipas kryediplomatit francez, autoritetet franceze e kanë mbështetur heqjen e vizave për shqiptarët, me qenë se ky vendim është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe “i përgjigjet dëshirës së popullsisë shqiptare për t’u hapur edhe më shumë drejt Evropës”. Ai qartëson se edhe personalisht është angazhuar shumë në favor të këtij vendimi.

“Vendimi i marrë më 7 dhe 8 nëntor shënon kështu një etapë të rëndësishme të afrimit të Shqipërisë me Evropën, me efekte të dukshme për popullsinë. Është një moment i një gëzimi të madh të përbashkët. Duhet vazhduar në këtë rrugë. Mund të jeni të sigurt se Franca do të jetë pranë jush për t’ju ndihmuar në këtë rrugë”, shton më tej Kouchner. /Telegrafi/