Në Francë nga sot hyjnë në fuqi masat e reja mbrojtëse që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejme të coronavirusit, ku përfshihet mbyllja, kryerja e punës nga shtëpia dhe dalja nga shtëpia në raste emergjente.
E për shkak të mbylljes së re të këtij vendi, në dyqane gjatë të enjtes janë krijuar kolona të gjata, e produktet më të kërkuara ishin letra e tualetit dhe ngjyra për printer dhe pajisje tjera elektronike që ndihmojnë në kryerjen e punëve nga shtëpia, transmeton Telegrafi.
Këto masa janë paralajmëruar nga kryeministri francez Jean Kastex, i cili ka thënë se është ditur se do të vjen vala e dytë e coronavirusit. Ai theksoi se shkollat do të mbesin të hapura, por që nxënësit nga mosha 6-vjeçare e lartë, do të detyrohen të bartin maska.
🔴El tráfico en París, Francia 🇨🇵 se acumuló 700 km ! Inicia el 2ndo confinamiento en todo el país tras el aumento de casos de #COVID_19.📌
— Melanie Müllers (@melanie_mullers) October 30, 2020
Qytetarët do të mund të largohen nga shtëpitë e tyre për blerje të artikujve të ndryshëm ushqimor, kur i dërgojnë fëmijët në shkollë apo shkojnë në punë (sektorët të cilët nuk mund të kryejnë punët nga shtëpia) apo edhe kur shkojnë në spital e barnatore.
Gjithashtu do të kenë të drejtë të nxjerrin për shëtitje kafshët shtëpiake, por edhe kjo dalje është e kufizuar në vetëm një orë në një distancë prej vetëm një kilometër larg shtëpisë.
Nëpër ceremonitë mortore do të lejohet pjesëmarrja e vetëm 30 personave, kurse në martesa vetëm gjashtë. Për shkak të mbylljes së plotë të vendit, në periferi të Parisit janë krijuar kolona të gjata të veturave që po largoheshin nga kryeqyteti francez, madje raportohet se kolona është hiq më pak se 700 kilometra e gjatë.
Shumë parisien kanë vendosur që kohën e karantinimit që do të zgjatë deri më 1 dhjetor ta kalojnë larg qytetit – e një situatë e ngjashme pati ndodhur në mars, në kohën e valës së parë të coronavirusit.
Të enjten në Francë janë konfirmuar 47.637 raste të reja me coronavirus, si dhe 250 tjerë që kanë humbur jetën si pasojë e infeksionit me COVID-19. /Telegrafi/