Site icon Telegrafi

Franca nuk jep azil për kosovarët

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka theksuar se Kosova e drejta e azilit në Francë është e përcaktuar me kushte shumë të sakta të qasjes nga pikëpamja ligjore dhe ushtrohet nën mbikëqyrjen e gjyqtarit.

Siç ka thënë ai gjatë një interviste për “Zërin”, kjo pasi që shtetasit e vendeve që konsiderohen “të sigurta” nuk mund të pretendojnë të gëzojnë të drejtën e azilit në Francë.

“E drejta e azilit në Francë është e përcaktuar me kushte shumë të sakta të qasjes nga pikëpamja ligjore dhe ushtrohet nën mbikëqyrjen e gjyqtarit. Shtetasit e vendeve që konsiderohen ‘të sigurta’ nuk mund të pretendojnë të gëzojnë të drejtën e azilit në Francë. Vende ‘të sigurta’ janë ato ku nuk ka dhunë të përgjithshme dhe ku shteti është në gjendje të kujdeset për sigurinë e qytetarëve të saj. Kosova është klasifikuar në Francë nga organi përgjegjës për regjistrimin e kërkesave për azil, në listën e vendeve ‘të sigurta’, ka thënë Chabert.

Ai më tej ka thënë se nuk ka asnjë arsye që në këtë fazë të parashikohet një eksod i popullatës kosovare në BE.

“Megjithatë, është e dobishme të qartësohet dallimi midis çështjes së vizave dhe emigracionit. Heqja e kërkesës për vizë nuk është e drejtë për të emigruar, është e drejtë për të udhëtuar. Ata që nuk do të kuptojnë dallimin midis këtyre dy koncepteve kur liberalizimi i vizave ndodh dhe që zgjedhin të qëndrojnë në zonën Shengen përtej kohës së udhëtimit të parashikuar në marrëveshje, do t’u kërkohet të largohen nga Bashkimi Evropian dhe nuk do të mundë të rikthehen. Marrëveshjet e liberalizimit të vizave ende parashohin një klauzolë të riatdhesimit. Një mekanizëm për të pezulluar liberalizimin e vizave i lejon Bashkimit Evropian të reagojë, përkohësisht dhe si mjet i fundit, kur rregullat nuk respektohen”.

Exit mobile version