Site icon Telegrafi

Franca ndalon naftën dhe veturat “diesel” pas 2040-s

Franca do t’u japë fund shitjeve të naftës dhe veturave me naftë në vitin 2040, si pjesë e planit ambicioz për të arritur objektivat e saj në kuadër të paktit të Parisit për klimën.

Këtë njoftoi qeveria e presidentit Emmanuel Macron, vetëm një ditë pasi prodhuesi i veturave “Volvo” tha se, që prej vitit 2019 do të prodhojë vetëm makina elektrike ose hibride, një vendim që u konsiderua si fillimi i fundit për motorin me djegie të brendshme, pas më shumë se një shekulli dominim.

Lajmërimi për qeverinë franceze u dha nga ministri i Ambientit, Nikolas Hulot, i cili tha se ndalimi i naftës dhe veturave me naftë do të jetë një revolucion i vërtetë. Hulot pranoi se, ky do të jetë një objektiv i vështire për industrinë e makinave në vend, por jo i paarritshëm.

Sipas ministrit francez, ky vendim u mor për shëndetin e publikut dhe si pjesë e luftës kundër ndotjes së ajrit. Vendimi i Francës është përshëndetur nga organizatat për mbrojtjen e ambientit, ndërsa ekspertët thonë se koha që i është dhënë industrisë është e mjaftueshme për të bërë ndryshimin.

Sigurisht që një vendim i tillë i një vendi të madh dhe të zhvilluar, si Franca, bie mjaft në sy, por shembujt në Evropë nuk mungojnë, madje janë edhe më të mirë.

Norvegjia, për shembull, pas viti 2025 do të lejojë vetëm shitjen e veturave elektrike dhe hibride. Holanda po konsideron ndalimin e naftës dhe makinave me naftë nga viti 2025, ndërsa disa lande gjermane po e planifikojnë këtë pas vitit 2030, transmeton tch.

Disa ekspertë thonë se vendimi i Francës është thjesht publicitet, pasi të ndalosh naftën dhe veturat me naftë pas vitit 2040 është si të ndalosh karrocat me kuaj për transport, pasi nuk do të kenë mbetur më.

Exit mobile version