Site icon Telegrafi

Franca ndalon italianin e dyshuar për 160 dhunime dhe sulme seksuale

Një italian 52-vjeçar, i cili kërkohet në Gjermani nën dyshimet për kryerje të 160 dhunimeve dhe sulmeve tjera seksuale, kryesisht ndaj vajzave të mitura, është arrestuar në anën tjetër të kufirit me Francën.

Brigada BNRF e Francës, për ndjekje të të arratisurve, ka thënë se ka arrestuar të premten të dyshuarin në Rumersheim-le-Haut afër Mulhouse.

Ai është kërkuar për lidhje me sulmet e kryera kryesisht ndaj fëmijëve të partnereve të tij në periudhën 2000-2014.

Zyrtarët kanë thënë se 122 dosje deri më tani janë hapur kundër tij në Gjermani.

Në raportimet franceze është thënë se në mesin e sulmeve, që dyshohet se ai ka kryer, është edhe dhunimi i vajzës së tij vite më parë.

Autoritetet gjermane kanë alarmuar homologët e tyre më 7 tetor, kur i dyshuari ka shkuar në Francë.

Pas identifikimit të vendndodhjes së tij, ai është ndaluar më 16 tetor.

Aktualisht ai po mbahet në Kolmar, derisa të përfundojnë procedurat e ekstradimit. /REL/

Exit mobile version