Telegrafi

Franca mposht Kroacinë dhe shpallet kampion bote

Franca kampion (Foto: Getty Images)

Kombëtarja e Francës është shpallur kampion bote në turneun ‘Rusia 2018’, pasi në finale e mposhti Kroacinë me rezultat 4-2.

Ndeshja nisi me një dominim të kroatëve me lojë, mirëpo pas një harkimi të Les Bleus në zonë, Mario Mandzukic shënoi me kokë në portën e gabuar (18′).

Perisic e barazoi rezultatin (Foto: Getty Images)

Nuk kaluan as dhjetë minuta dhe rezultati u barazua. Ivan Perisic realizoi pas asistimit nga Domagoj Vida (28′).

Mirëpo, Perisic shkaktoi penallti duke e prekur topin me dorë në zonë dhe Antoine Griezmann u tregua i saktë nga pika e bardhë (38′) për ta kthyer epërsinë e francezëve.

Pogba ishte njëri prej golashënuesve (Foto: Getty Images)

Edhe pse Kroacia e diktonte tempin e lojës, ishin Les Bleus ata që u treguan të rrezikshëm përmes lojtarëve të tyre cilësorë.

Fillimisht, Paul Pogba (59′) dhe pastaj Kylian Mbappe (65′), shënuan gola të bukur duke i shuar shpresat e kroatëve.

Një goli i bukur nga Mbappe (Foto: Getty Images)

Mario Mandzukic e shfrytëzoi një gabim të portierit Hugo Lloris duke e ngushtuar rezultatin, mirëpo epërsia ishte akoma shumë e lartë.

Në vazhdim, skuadra kroatet u përpoq vazhdimisht që të rikthehej në lojë, mirëpo pa sukses.

Mandzukic i dha një shpresë të vogël Kroacisë (Foto: Getty Images)

Ky është triumfi i dytë në histori të Francës në Kampionatin Botëror. Për herë të parë, Les Bleus e kishin fituar Kupën e Botës para dy dekadash, në vitin 1998.

Ndërkaq, Kroacia duhet të kënaqet me suksesin më  të madh në histori të përfaqësueses, arritjen deri në finale të një Kampionati Botëror. /Telegrafi/