Site icon Telegrafi

Franca miraton një projektligj të ri – lejon policinë që nga distanca të aktivizojë kamerat në telefonat e qytetarëve

Mes protestave të vazhdueshme në Francë, ligjbërësit e aprovuan një projektligj të ri i cili do ta lejojë policinë që nga distanca të qasen tek kamerat, mikrofonat dhe GPS-at e telefonave dhe pajisjeve të tjera të personave të dyshuar.

Siç u raportua nga Le Monde, projektligji është kritikuar nga populli francez, të cilët e cilësuan atë si një kartë të “spiunimit” që ju mundëson policëve qasje të papenguar në vendndodhjen e qytetarëve të vendit. Për më tepër, policia mund të aktivizojë kamerat dhe mikrofonat për të bërë video dhe të bëjë audio incizime të të dyshuarve.

Projektligji thuhet se do të aplikohet vetëm tek kryerësit e krimeve të cilat dënohen me një periudhë minimume prej 5 viteve në burg, dhe ministri i drejtësisë Eric Dupond-Moretti pretendoi se dispozita e re do të mund të prekte vetëm disa dhjetëra raste në vit, raporton Gizmodo, përcjell Telegrafi.

Gjatë një debati mbi projektligjinm politikanët francez shtuan një amendament i cili urdhëron marrjen e aprovimit nga gjyqtarët për çdo përgjim i cili kryhet nën projektligjin e ri, dhe sipas Le Monde, ky amendament gjithashtu kufizon kohëzgjatjen e përgjimit në 6 muaj.

“Për krimin e organizuar, policia mund të ketë qasje në zërin dhe imazhin e një pajisjeje. Kjo ka të bëjë me çdo pajisje të lidhur: telefonin, mikrofonin e altoparlantëve, kamerën kompjuterike, sistemin kompjuterik të një veture, teksa që të gjitha përgjimet do të kryhen pa dijeninë e personave të dyshuar”, deklaroi grupi francez i avokatisë La Quadrature du Net në një deklaratë në Twitter muajin e kaluar.

“Në funksion të rritjes së vendit të mjeteve dixhitale në jetën tonë, pranimi i vetë parimit që ato shndërrohen në ndihmës policie pa qenë të vetëdijshëm për këtë përbën një problem serioz në shoqëritë tona”, tha tutje grupi në fjalë. /Telegrafi/

Exit mobile version