Franca do të sjellë prova që regjimi sirian ka organizuar sulmin kimik në qytetin e Khan Cheikoun, që ka shkaktuar 87 të vdekur më 4 prill, deklaroi të mërkurën shefi francez i diplomacisë, Jean Marc Ayrault.
“Ne kemi elemente që na mundësojnë të tregojmë se regjimi ka përdorur me qëllim armë kimike”, deklaroi Ayrault, duke theksuar se shërbimet sekrete franceze kanë në dispozicion prova.
“Në disa ditë mund t’ju sjell provën”, garantoi ai.
Në fillim të muajit prill dyshohet se regjimi sirian ka zhvilluar bombardime me armë kimike kundër popullsisë civile, ku u vranë 84 persona, që shkaktoi gjithashtu një reagim të menjëhershëm të SHBA-ve, e cila bombardoi me raketa nga deti një bazë ajrore nën kontrollin e Damaskut.