Site icon Telegrafi

Franca evakuon 200 persona nga Kina dhe i akomodon në një hotel të izoluar, 14 ditë do të jenë në karantinë – 140 xhandarë do t’i ruajnë

Aeroplani i ushtrisë franceze A340 me 200 pasagjerë është evakuuar nga qyteti kinez Wuhan, i cili gjatë ditës së sotme ateroi në bazën ajrore Istr në jug të Francës.

Pasagjerët më pas nën përcjelljen e xhandarëve janë transportuar me autobusë drejt një pushimoreje të njohur si Kari le Rue, ku do të qëndrojnë 14 ditë nën masa të rrepta të sigurisë në karantinë, transmeton Telegrafi.

Për t’i pritur kishte dalë ministrja e Shëndetësisë, Anyes Bizen, e për çdo rast në vend të ngjarjes kishin dalë shumë autoambulanca.

Aeroplani nga qyteti kinez Wuhan ishte nisur mbrëmë, kurse fluturimi ka zgjatur më shumë se 12 orë. Të gjithë personat që ishin futur në aeroplan, paraprakisht u është bërë testi i coronavirusit.

Të gjithë ishin të shëndetshëm, por rrugës për në karantinë është konfirmuar se një person ka simptoma të virusit dhe për këtë është dërguar në spital për tretman të mëtutjeshëm.

Gjatë udhëtimit ata kishin në dispozicion kujdesin medicinal të 22 mjekëve, teknikëve dhe psikologëve, që i përgatisnin për karantinë. E pranë timonit të fluturakes gjendeshin pilotët ushtarakë që kishin veshur rroba të veçanta për raste humanitare të evakuimit.

Rrugëtimi nga aeroporti për në karantinë ka zgjatur rreth 30 minuta, ku nën përcjelljen e mjeteve të shumta të policisë janë dërguar në destinacion.

Qendra Kari le Rue, gjendet rreth 25 kilometra larg qyteti Marseille, dhe është përzgjedhur për karantinë pikërisht për shkak se gjendet jashtë zonave urbane. Më saktësisht gjendet në mes të malit, kurse qyteza më e afërt është 4 kilometra larg.

Të gjithë të evokuarit paraprakisht kishin nënshkruar vullnetarisht se do të qëndrojnë 14 ditë në karantinë. Ata do të mund të lëvizin lirshëm brenda pushimores, me kusht që të bartin maskë mbrojtëse kur janë në kontakt me të tjerët.

Gjithashtu janë të obliguar të raportojnë çfarëdo simptome të dyshimtë dhe të matin temperaturën e trupit nga dy herë në ditë. Por, assesi nuk do të guxojnë të dalin jashtë qendrës.

Si preventivë janë angazhuar 140 pjesëtarë të xhandarmerisë dhe njësi speciale që kanë për detyrë të parandalojnë çfarëdo tentim ikje apo të ndalin të afërmit apo miqtë që tentojnë të futen brenda për të vizituar më të dashurit e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version