Franca u ka bërë thirrje qytetarëve të saj në Liban që të largohen nga vendi “sa më shpejt të jetë e mundur” mes frikës së një lufte gjithëpërfshirëse midis Izraelit dhe Hezbollahut si dhe një konflikti më të gjerë rajonal.
Bëhet e ditur se me thirrjen e saj, Franca po e ndjek shembullin e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat u kanë rekomanduar shtetasve të tyre të largohen nga Libani, shkruan Le Monde.
“Në një kontekst shumë të paqëndrueshëm sigurie, ne tërheqim edhe një herë vëmendjen e shtetasve francezë, veçanërisht atyre që kalojnë atje, për faktin se fluturimet komerciale të drejtpërdrejta dhe ato me ndalesa për në Francë janë ende të disponueshme dhe i ftojmë ata të për largohen nga Libani sa më shpejt të jetë e mundur”, tha mMinistria e Jashtme franceze në njoftimin e saj.
Siç vlerëson Franca, rreth 23,000 qytetarë të saj jetojnë në Liban, ndërsa muajin e kaluar rreth 10,000 të tjerë kishin vizituar vendin.
Së fundmi, shteti francez kishte përditësuar një fletë informacioni duke nënvizuar disponueshmërinë e vazhdueshme të fluturimeve për në Francë.
Tani, ajo u bën thirrje urgjente shtetasve të saj që të mos udhëtojnë drejt Libanit por të largohen nga ai.
Ndryshe, thirrjet e shteteve perëndimore për largimin e shtetasve të tyre nga Libani vjen pasi Irani dhe aleatët e tij kërcënuan Izraelin se do t’i përgjigjen vrasjes së liderit politik të Hamasit. /Telegrafi/