Site icon Telegrafi

Franca do ta ndihmojë sportin e Kosovës

Ndërkombëtarizimi i sportit, në veçanti futbollit, bashkëpunimi në zhvillimin e mjekësisë sportive, sportit shkollor dhe aktivitete të tjera të përbashkëta në fushën e sportit dhe rinisë, kanë qenë temë diskutimi në takimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi me Ministren e Sportit dhe Rinisë të Francës, Valerie Fourneyron, është thënë në njoftimin e MKRS.

Sipas këtij njoftimi, Ministri Krasniqi ka falënderuar ministren franceze për ndihmën që shteti i saj i ka dhënë Kosovës në shumë fusha. Ai e ka njoftuar atë më progresin dhe sfidat në fushën e sportit dhe rinisë, në veçanti në ndërkombëtarizimin e sportit dhe zhvillimin e tij brenda Kosovës. Ai shtoi se sportistët e Kosovës për shumë vjet padrejtësisht kanë mbetur të izoluar nga garat ndërkombëtare dhe kjo si shkas i politikës.

Ministri Krasniqi deklaroi se deri tash janë bërë hapa të rëndësishëm në ndërkombëtarizim të shumë sporteve por shtoi se Kosova nuk duhet të izolohet më, në veçanti nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe federata të sporteve popullore, siç janë futbolli dhe basketbolli. Ministri kërkoi nga ministrja franceze që ta ndihmojë në ndërkombëtarizim të sportit të Kosovës, në veçanti futbollit, tash kur edhe FIFA pritet ë të marrë një vendim për ndeshjet miqësore.

“Ne kemi shumë të rinj që e kanë dëshmuar gjithandej botës talentin dhe vullnetin e tyre për sportin. Ne kërkojmë që sa më shpejtë të jemi pjesë e garave zyrtare ndërkombëtare dhe të japim edhe në kontributin tonë për sportin si një urë lidhëse mes popujve”, ka thënë Ministri Krasniqi. Ai i ka kërkuar ministres bashkëpunim në zhvillimin e sportit shkollor dhe mjekësisë sportive.

“Këto janë aspekte të rëndësishëm për neve. Sporti shkollor është një prioritet dhe rrugë shumë e rëndësishme për masivizimin e sportit dhe afirmimin e talenteve. Mjekësia sportive po ashtu përben një hallkë tejet domethënëse për gara cilësore dhe zhvillim të sportit”, tha ministri Krasniqi, duke folur edhe për progresin në përkrahjen e rinisë. Në këtë aspekt ai tha se Kosova është e interesuar për të bashkëpunuar me Francën si një vend mik i Kosovës dhe model për shumë fusha.

Nga ana tjetër, ministrja Valerie Fourneyron përgëzoi ministrin Krasniqi për progresin dhe përpjekjet e mëdha për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit. Ajo ka shprehur interesimin që bashkëpunimi mes Francës dhe Kosovës në fushën e sportit dhe rinisë të rritet. Ministrja franceze ofroi mbështetje për ndërkombëtarizim të sportit, në veçanti futbollit, si dhe ndihmë në zhvillimin e brendshëm të sportit në Kosovë, në aspektet si sportin shkollor, mjekësi sportive.

Pas takimit me ministren Valerie Fourneyron, Ministri Krasniqi ka zhvilluar takim me drejtuesit e Departamentit për Evropën Kontinentale dhe për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës. Edhe nga drejtuesit e këtij departamenti, Ministri Krasniqi kërkoi mbështetjen për ndërkombëtarizim të sportit por edhe thëllim të bashkëpunimit edhe në fushën e kulturës, me theks të veçantë në shkëmbime të ndryshme dhe afirmim të skenës kulturore të Kosovës në evenimentet e rëndësishme të kulturës në botë. Po ashtu ai kërkoi që Franca të mbështesë Kosovën edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, në veçanti për krijimin e raporteve zyrtare mes Kosovës dhe UNESCO-s.

Drejtues të departamentit premtuan mbështetje si në sport, trashëgimisë kulturore dhe kulturë duke theksuar nevojën që bashkëpunimi mes dy vendeve të thellohet në këto dy fusha.

Ministri Krasniqi do të ketë takim edhe më nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Francës dhe me drejtuesit Komisionit për Çështje të Kulturës dhe Arsimit të Asamblesë nacionale të Francës. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version