Site icon Telegrafi

“Fraksion+” vizionin politik do ta vazhdojë me PDK-në?

“Fraksion+”, pjesë e të cilit tashmë janë ish-pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, që sipas tyre janë krijuar për të bërë më dije se në politikën e VV-së ka defekte të shumta, janë duke shqyrtuar mundësitë për t’i bashkuar forcat me njërën nga subjektet politike.

Arben Gecaj nga “Fraksion+” ka thënë për Telegrafin se nuk e përjashtojnë Partinë Demokratike të Kosovës, si mundësi për të vazhduar me ta vizionin që kanë.

“Ne njohim sistemin politik dhe partitë ekzistuese të sistemit politik të Kosovës. Ne nuk jetojmë në diktaturë dhe regjime, jetojmë në sistemin ku zgjedhjet përcaktojnë fituesin. Pra ne njohim, çmojmë kontributin e shtetformimit edhe të PDK-së, pra nuk përjashtojmë PDK-në si mundësi për të vazhduar misionin të cilin e kemi”, ka thënë Gecaj, për Telegrafin.

Ai ka shtuar se si “Fraksion+” janë kundër ksenofobisë, pra politik bërjes me ndjenjën e frikës ndaj të huajit.

“Ne i perceptojmë banorët e Kosovës individualisht me të drejta, pa marrë parasysh origjinën etnike dhe kolektivisht mendojmë që ata duhet të kenë të drejtë të gëzojnë lirinë e kultivimit të drejtave etnike, kulturore, fetare dhe shpirtërore”, u shpreh Gecaj.

I pyetur rreth iniciativës së Ilir Dedës për krijimin e një partie të re politike, Gecaj ka thënë se është befasuar nga ideja.

“Së pari, nuk kam mundur të kuptoj se çfarë ka ndodhur në atë konferencë për shtyp. Gjestet dhe mimika e dy njerëzve në konferencën për shtyp fliste diçka tjetër prej asaj që po ndodhte. Tek në fund e pash që puna ishte te ndarja. Unë kam menduar se është fillimi i Projektit Alternativa”, tha Gecaj, duke shtuar më pas se për nga natyra, biografia dhe vizioni janë shumë të largët me dinamikën dhe metodën e të bërit politikë me Ilir Dedën.

Gecaj ka theksuar se nuk ka asnjë shenjë që mund të bëhen bashkë për një iniciativë të tillë me Ilir Dedën tashmë ish- deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/

Exit mobile version