Në një ekspozitë të veçantë që mbledh emocionet dhe kujtimet e viteve të 90-ta në Kosovë, artisti Gjyljan Fetaj ka sjellë në Athinë një seri veprash të titulluara “Fragmente”. Me 45 piktura të aranzhuara me mjeshtëri, ai ka arritur të pasqyrojë një pjesë të përditshmërisë së një periudhe të trazuar, por edhe të shpresës.
Fitim Gllareva, i ngarkuar me punë në Misionin e Posaçëm Diplomatik në Athinë, Greqi, tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë hapjes së ekspozitës që u mbajt në hapësirat e Konsullatës së Kosovës. “Janë emocione të shekullit të kaluar që kanë pritur të vendosen në këtë shekull”, u shpreh ai, duke evidentuar rëndësinë e veprave të Fetajt si dokumente vizuale.
Çdo pikturë përçon një ngjarje të veçantë që ka ndodhur në Kosovë dhe secila është një rrëfim në vete. Imazhet e një kohe të errët dhe përballjeve, të paraqitura në një stil abstrakt dhe konkrete në të njëjtën kohë, shfaqin një botë të brendshme të artistit duke u përballur me realitetin brutal, por edhe me guximin për të krijuar diçka të re.
Ekspozita solli së bashku shikuesit në një udhëtim në Kosovën e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, duke u nxjerrë përballë një gjenerate që përjetoi kontraste të mëdha mes aspiratave shpirtërore dhe asaj kohe të izolimit dhe mungesës së lirisë. Një gjeneratë që, përkundër dëshpërimit dhe përndjekjeve, zgjodhi të rilindë brenda viteve të rinisë së saj.
Hapjen e ekspozitës e bëri Beskida Kraja, e cila në fjalën e saj i përshëndeti të pranishmit me këto fjalë: “Kemi kënaqësinë t’ju mirëpresim në hapësirën e Konsullatës së Kosovës në inagurimin e ekspozitës personale të artistit kosovar Gjyljan Fetaj”. Ajo shtoi se veprat e Fetajt janë si “copeza shpirti që bashkëveprojnë në harmoni me njëra-tjetrën” dhe se pikturat të lënë pa frymë me koloritin e tyre të fuqishëm.
Gjyljan Fetaj, i lindur në Pejë dhe i diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë nën mentorimin e Profesor Akademik Rexhep Ferri, ka përdorur penelatat e tij për të vizatuar imazhet e kaluarës, duke lënë hapësirë për interpretim dhe reflektim. Kjo ekspozitë në Athinë është një hap i rëndësishëm për të ndarë me botën kujtimet dhe përvojat e tij si artist dhe si dëshmitar i kohëve që kanë formuar të tashmen e Kosovës.
Disa nga ekspozitat e tij ndër vite janë:
1999 – Ekspozitë Kolektive “Lufta në Kosovë” Tetovë
2000 – Vizioni I studentëve – instalacion, Prishtinë
2000 – Salloni I Nëntorit Prishtinë
2001 – Ballkan I ri Prishtinë
2001 – Kalimi I Urave – Gjakovë
2001 – Salloni I Nëntorit Prishtinë
2001- Gjenerate 2001 Prishtinë
2001 – Ekspozitë e Fotografisë “Udhëtimi në kujtesë”
2002 – ”Kujtimet” Pejë
2002 – “Urat” Tiranë
2002 – Artistët e së nesërmes Prishtinë
2003 – Dita e çlirimit Prishtinë
2003 – Dita e çlirimit Peje
2004 – Ekspozit personale Prishtinë
2004 – Kinse Art 12 orë Prishtinë
2004 – Për ditën e Tokës Prishtinë
2004 – Dita e Prishtinës Prishtinë
2004 – Dita e Pejës Pejë
2004 – Gjon Mili Prishtinë
2004 – Më rastin e 28 nëntorit Pejë
2005 – Ekspozita nderkombtare e fotografis Gjon Mili
2006 – Salloni I Nëntorit Prishtinë
2007 – Salloni I Nëntorit Prishtinë
2012 – Ekspozit personale Prishtinë Galeria e ministris se cultures se Kosoves
2015 – Ekspozit personale ne Frankfurt Gjermani
2023 – Ekspozit personale Fragmente Athinë
Shpërblimet:
Student i dalluar 2000/2001, Pran fakultetit të Arteve, Dega e Pikturës Prishtinë. /Telegrafi/