Telegrafi

Fqinjët preken nga Gripi i Derrave, në Kosovë nuk kontrollohen udhëtarët nga jashtë

Ndonëse është thënë se situata në Kosovë është nën monitorim të vazhdueshëm, qytetarët të cilët hyjnë në vend nëpërmjet aeroportit të Prishtinës nuk u nënshtrohen asnjë kontrolli mjekësor për të identifikuar se a kanë simptoma të gripit të derrave.

Zyrtarë të Aeroportit thonë se ata kanë krijuar hapësira për mjekët, por aty nuk po qëndron askush. Kurse në Ministrinë e Shëndetësisë pohojnë se janë duke e monitoruar situatën dhe se nuk ka kurrfarë arsye që gjendja të alarmohet. KTV-ja për 5 orë resht ka qëndruar në aeroport dhe nuk ka parë të jetë kontrolluar kush për virusin H1N1.

Në Aeroportin e Prishtinës nuk është ngritur asnjë strukturë mjekësore që do të kontrollonte qytetarët që hyjnë në vend, se a kanë simptoma të gripit A/H1N1. Ekipi i Kohavisionit ka qëndruar për pesë orë në aeroportin e Prishtinës duku përcjellë prej së afërmi gjendjen në terren. Mirëpo, që nga ora 10 e deri në orën 15 nuk është vërejtur askush të bëjë ndonjë kontroll mjekësor ndaj qytetarëve që hyjnë e dalin në Kosovë.

Ndërkohë, zyrtari për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se Ministria është duke e monitoruar situatën dhe se nuk ka kurrfarë arsye që gjendja të alarmohet. Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e fundit ka bërë të ditur se deri tash nga virusi H1N1 kanë humbur jetën rreth 700 persona në mbarë botën.

Ditët e fundit janë shënuar edhe rastet e para të infektimit në Shqipëri, duke bërë që tashmë vetëm Kosova nga vendet e rajonit të mos jetë e prekur nga ky virus. Por, duke parë nivelin e kontrollit që bëhet në pikat ku hyjnë qytetarët nga vendet e tjera në Kosovë, pyetja që mbetet është – a mund ta zbulojmë edhe nëse ndonjë i infektuar tashmë ndodhet në Kosovë?. /KTV/