Media amerikane “Fox News”, ka komentuar deklaratat e presidentit shqiptar, Ilir Meta, me të cilat ai akuzon Xhorxh Sorosin se është përfshirë me një komplot me qëllim kapjen e hallkave të shtetit dhe për të destabilizuar vendin.
“Presidenti shqiptar akuzoi miliarderin bamirës me prirje të majta, Xhorxh Soros, se ka qenë i pëfshirë me zgjedhjet vendore, të cilat ai i quan ‘një farsë’, pjesë e një komploti për të kapur të gjitha hallkat e shtetit shqiptar”, citon media amerikane presidentin Meta, si dhe qartëson që presidenti nuk ka ofruar asnjë provë për t’i mbështetur këto deklarata akuzuese.
“Kam dy fjalë edhe për miliarderin e nderuar, Xhorxh Soros. Na ndihmoi në vitin 2000, sepse edhe ai është socialist në pikëpamje. Por më pati thënë Viktor Orban: ‘kini kujdes se nuk është aq demokrat dhe komploton edhe kundër demokracisë’”, citon “Fox News” presidentin Meta.
Artikulli vë në dukje se presidenti i është kthyer me akuza edhe komunitetit ndërkombëtar, përfshi BE-në dhe SHBA-në, duke u bërë thirrje diplomatëve të mos bëhen qesharakë e të mos luajnë me kushtetutën e Shqipërisë.
Sipas Fox News, Meta ishte përpjekur të anulonte zgjedhjet e së dielës, duke thënë se nuk do të ishin demokratike pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila i ka bojkotuar.
Megjithatë, shton media amerikane, kryeministri Edi Rama urdhëroi të mbahen zgjedhjet, në të cilat partia e tij pritet të dalë fituese me diferencë shumë të madhe. Opozita, nga ana tjetër, e ka quajtur pjesëmarrjen e ulët (21.6%) si antikushtetuese dhe të paligjshme. Ndërkohë, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në dukje se mungesa e opozitës ka bërë që zgjedhjet të mos kenë interes për votuesit.
“Fox” shpjegon se si Meta ka shpallur një tjetër datë për zgjedhjet, por që është refuzuar nga qeveria, e cila ka ngritur një komision hetimor për të shkarkuar presidentin. Opozita ka vazhduar protestat duke e akuzuar qeverinë për manipulim të votave në zgjedhjet e mëparshme, të cilat qeveria i ka mohuar.
“Soros është shënjestër e rregullt e qarqeve të djathta, për shkak të financimeve që u bën grupimeve të majta nëpër Europë dhe SHBA. Qeveria nacionaliste e Hungarisë miratoi një ligj vitin e shkuar për të ndërprerë veprimtaritë e tij me fondacionin ‘Shoqëria e Hapur’, duke e deklaruar si të paligjshme veprimtaritë e OJQ-ve për të organizuar emigrim në vend”.