Telegrafi

Fox News i kërkon falje Greta Thunberg për deklaratën nga komentatori i televizionit

Fox News ka kërkuar falje pasi një mysafir e kritikoi aktivisten adoleshente të klimës Greta Thunberg duke e quajtur “një fëmijë i sëmurë mendor”.

Duke u paraqitur në Fox News të hënën, përcjell Telegrafi, komentatori i djathtë Michael Knowles filloi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj Thunberg, 16 vjeçe, e cila po bën fushatë në SHBA për të nxitur veprime mbi krizën e klimës.

Një deklaratë e Knowles në Thunberg pasoi një nga Laura Ingraham, një nga prezantueset më të spikatura të Fox News, e cila e krahasoi Thunberg dhe aktivistë të tjerë të rinj të klimës me personazhet në tregimin horror të Stephen King, “Children of the Corn”.

Lexo po ashtu Kur ishte 11 vjeçe, ajo ndaloi së ngrëni për dy muaj të plotë: Rrëfimi për jetën e vështirë të Greta Thunberg, adoleshentes që po u jep mësim për klimën, politikanëve botërorë

Ndryshe, Thunberg mbajti një fjalim kumbues në samitin e Kombeve të Bashkuara, duke kritikuar liderët botërorë për “tradhtinë” e tyre ndaj të rinjve përmes mungesës së veprimeve për krizën klimatike.

Knowles, një mysafir në “Fox News’s The Story”, ishte ftuar të diskutonte fjalimin e Thunberg dhe krizën klimatike.

“Nëse do të ishte në lidhje me shkencën, ajo do të udhëhiqej nga shkencëtarët sesa nga politikanët dhe një fëmijë suedez i sëmurë mendor që po shfrytëzohet nga prindërit e saj dhe nga e majta ndërkombëtare”, ka thënë Knowles.

Lexo po ashtu Adoleshentja suedeze "shpërthen" ndaj liderëve botëror: Njerëzit po vdesin, e ju flisni vetëm për para

Por komentatori Christopher Hahn, duke u paraqitur në “The Story” për të ofruar teorikisht një perspektivë liberale, kritikoi menjëherë Knowles.

“Po, dua të them, ju jeni një burrë i rritur dhe jeni duke sulmuar një fëmijë. Turp për ju”, ka thënë Hahn, përcjell Telegrafi.

Një zëdhënës i Fox News më pas i tha Daily Beast: “Komenti i bërë nga Michael Knowles i cili ishte mysafir në The Story sonte ishte i turpshëm. Ne i kërkojmë falje Greta Thunberg dhe shikuesve tanë”.

Gjithashtu Fox News i tha Hollywood Reporter se nuk kishte “plane” për të prenotuar Knowles si mysafir në të ardhmen.

Megjithatë, kanali nuk ka komentuar sulmin e Laura Ingraham ndaj Thunberg. /Telegrafi/