Fox News ka pasur një histori në kulmin e zgjedhjeve presidenciale që tregonte në detaje një marrëdhënie të pretenduar seksuale ndërmjet aktores së filmave porno Stephanie Clifford – “Stormy Daniels” dhe Donald Trump, por zgjodhi të mos e publikojë atë, kanë thënë burime të njohura me çështjen për CNN.
The Wall Street Journal raportoi të enjten se avokati i Trump, Michael Cohen kishte rregulluar një pagesë 130,000 dollarë për të mbajtur Clifford të heshtur në lidhje me marrëdhënien e supozuar. Shtëpia e Bardhë mohoi raportin, transmeton KosovaPress.
Pohimi i një marrëdhënieje nuk ishte një sekret i Fox News, megjithatë. Një nga gazetaret e rrjetit, Diana Falzone, kishte paraqitur një storie në tetor 2016 për një marrëdhënie seksuale të dyshuar midis Clifford dhe Trump. “Ajo kishte storien dhe Fox e ‘vrau’ atë”, tha një nga njerëzit e njohur me këtë çështje për CNN.
Falzone është gazetare e Fox News, e cila shpesh mbulon lajme të famshme dhe çështje që lidhen me ngacmimin seksual. Ajo ngriti një padi kundër rrjetit në maj 2017 duke pretenduar diskriminimin gjinor. Fox News ka mohuar pretendimet e saj.