Një arkiv i ri në internet, i nisur nga Fondacioni Arab i Fotografive, ofron perspektiva të reja për Lindjen e Mesme, duke zbuluar momente dhe histori të harruara, shkruan India Stoughton, transmeton Telegrafi.
Nga puthjet e gjinisë së njëjtë, burrat me veshje grash, portrete dhe fëmijë që pozojnë me pushkë… Fondacioni Arab i Fotografive është i mbushur me fotografi të befasishme dhe sensacionale nga Lindja e Mesme. Janë mijëra fotografi të fondacionit që dokumentojnë aktivitetet ditore dhe mënyrat e dikurshme të jetës. Për më shumë se 20 vjet, fondacioni i ka ruajtur arkivat, ka botuar libra dhe ka organizuar ekspozita, por koleksionet ishin vështirë të qasshme vështira për publikun. Tani ato mund të shihen, fal kësaj platforme në internet.
Fondacioni jofitimprurës u krijua në Bejrut në vitin 1997, për të hulumtuar, mbrojtur dhe ruajtur historinë fotografike të Afrikës së Veriut, të Levantit dhe të Gjirit. Aktualisht ruan më shumë se 500 mijë negativë dhe fotografi të shtypura.
“Jemi platformë që vë në pikëpyetje mediat e fotografisë dhe që shtyn kufijtë e asaj që quajmë fotografi”, shpjegon Marc Mouarkech, drejtor menaxhues i fondacionit. “Përpiqemi të nxisim krijimin e diskursit të ri që i flet një audience bashkëkohore”.
Në faqen kryesore, vegëzat e krijuara rastësisht ndërlidhin vizitorët me koleksionet, fotografët dhe imazhet, duke inkurajuar zbulime të reja në çdo vizitë. Fotot aranzhohen gjithashtu sipas kategorisë dhe mund të shihen me fjalët kyçe, duke lejuar kuriozët – për një epokë, një vend ose një subjekt të veçantë – të eksplorojnë më shumë. Vizitorët mund të zmadhojnë fotografitë për të zbuluar detaje të fshehura, si dhe për të ndarë imazhe në mediat sociale dhe për të shtuar etiketat dhe informacionin e tyre për faqe të internetit.
“Ne duam që ajo të jetë diçka që ndërtohet nga fondacioni dhe nga komuniteti në të njëjtën kohë”, shpjegon Mouarkech.
Shumë nga negativët dhe printimet kanë pësuar dëme gjatë viteve. Në vend që të restaurohen ose të manipulohen në mënyrë digjitale, ato paraqiten në gjendjen e tyre aktuale dhe trajtohen si artefakte historike. Një nga fotot e dëmtuara paraqet një balerinë, të fotografuar nga armeniani Armand (i lindur më 1901 në Turqi).
Shumë prej imazheve dokumentojnë traditat që kanë vdekur. Camille el Kareh njihet për fotografitë e tij post mortem, të cilat u bënë popullore në Libanin e veriut në vitet 1920-30. Duke e paraqitur me kujdes të vdekurit pranë të dashurve, ai krijoi portrete formale familjare në të cilat trupi i pajetë zë vend qendror.
Në Siri, fotografi dhe akademiku Jibrail Jabbur, i lindur më vitin 1900, kap një beduin në shkretëtirë. Puna e tij ofron një pasqyrë unike të jetës së përditshme të beduinëve sirianë.
Arkivi përfshin imazhe të ngjarjeve dhe të figurave historike, duke hedhur dritë mbi ndryshimin e zakoneve shoqërore përgjatë një shekulli. Një portret në studio, i një fotografi anonim egjiptian në fillim të shekullit XX, shfaq dy gra të reja me shamitë e kokës, por që shfaqin fytyrat. Mouarkech beson se kjo është një nga fotografitë më të hershme ku gratë arabe dalin me fytyrat e zbuluara.
Ndryshimet ndaj trupit të femrës në Egjipt vërehen te veprat e armenianit Van Leo, që ka bërë qindra fotografi erotike në vitet 1950-60, shumë nga të cilat detyrohet t’i djeg në vitet 1980 pas ngritjes së konservatorizmit fetar. Nga fotot e ruajtura është ajo e aktores egjiptiane Nadia Abdel Wahed, që donte 18 poza të ndryshme, e në secilin duke hequr rrobat një nga një.
Në koleksion shfaqet edhe tradita e ëmbëlsirave, si fotoja e vitit 1960 e bërë nga Muhamed Youssef, ku shfaqet një burrë duke bërë “knafeh”.
Shumë nga fotografët eksperimentonin me kompozicionin dhe teknikat. Një nga to është bërë në Betlehem më 1922 nga një fotograf anonim palestinez, që përdorte teknikat e shtresave për ta shfaqur të njëjtin njeri në katër vende të ndryshme, në një tablo sureale.
Në koleksion janë fotot e një prej fotografeve të para arabe, Marie al-Khazen. E lindur më 1899 në Liban, ishte edhe feministe, meqë shfaqte femrat duke u kënaqur në rolet që u takonin tradicionalisht meshkujve, si duhani, kalërimi apo gjuetia.
Në kohërat më turbulente, fotografive u shtohen armët. Mouarkech thotë se ato shpesh keqinterpretohen. Foto të tilla bëri libanezi Hashem El Madani, sidomos nga Sidoni, gjatë Luftës Civile të Libanit.
Arkivi synon të zgjerojë perspektivat e Lindjes së Mesme. Mouarkech e sheh qasjen në publik të koleksioneve edhe si pjesë të detyrës për t’i ruajtur ato. “Arkivi është mjet që duhet përdorur”, thotë ai. “Ruajtja vjen në shumë mënyra. Nëse një fëmijë i vogël sheh një imazh që e ndihmon atë të rrisë imagjinatën e tij ose qëndron me të për një arsye emocionale, për ne kjo është ruajtje e materialit, historia që e kemi, kujtesa e objektit dhe kujtesa për rajonin”. /Telegrafi/