Egjipti rihapi të enjten piramidën e Zoserit (ose Djoser), e para në histori, pas një restaurimi 14-vjeçar që kushtoi gati 6.6 milionë dollarë. Piramida, një trashëgimi botërore e UNESCO-s , është ndërtuar 4,700 vjet më parë gjatë epokës së Faraonit Zoser, një nga mbretërit e dinastisë III të Egjiptit.
Pas dekadave të braktisjes nga rreziku i shembjes, në vitin 2006 qeveria egjiptiane filloi një projekt ambicioz për ta rikthyer atë dhe për të rivendosur shkëlqimin e tij, transmeton Telegrafi.
“Sot ne festojmë përfundimin e projektit për të shmangur rrezikun dhe mirëmbajtjen dhe rivendosjen e piramidës së parë dhe më të vjetër që është ende në këmbë në Egjipt”, tha Ministri i Turizmit dhe Antikiteteve Khaled al-Anani .
Struktura është hartuar nga Imhotep, e përshkruar nga disa si arkitekti i parë në botë. “Kjo na mbush me admirim se si ai arriti të krijojë këtë strukturë, e cila ka mbetur në këmbë për 4,700 vjet”, shtoi Anani.
Puna e restaurimit u ndal në vitin 2011 pas kryengritjes popullore në Egjipt që përmbysi Presidentin Hosni Mubarak. Punimet rifilluan në fund të vitit 2013. Piramida e Zoserit ndodhet në Saqqara, në perëndim të Kajros.
Kompleksi 60 metra i lartë përbëhet nga gjashtë pjesë të mbivendosura në një varr funerali 28 metra të thellë 28 dhe gjerësi shtatë metra.
Duke folur jashtë piramidës, kryeministri egjiptian Mostafa Madbouly deklaroi se Egjipti ishte i angazhuar në shumë projekte në shkallë të gjerë dhe se restaurimi i trashëgimisë së tij ishte një prej tyre. “Megjithëse, natyrisht, ne jemi shumë krenarë që kjo është një trashëgimi egjiptiane, ne gjithashtu e dimë shumë mirë që është një trashëgimi botërore dhe globale që ne jemi shumë të interesuar ta ruajmë”, tha ai.
Projekti përfshiu përpjekje për të parandaluar shembjen e piramidës, si dhe punime restaurimi të brendshëm dhe të jashtëm, siç janë rrugët që çojnë në piramidë dhe korridoret e brendshme që çojnë në dhomën e varrimit.
Punimet u bënë pasi një tërmet dëmtoi ndjeshëm brendësinë e piramidës në vitin 1992. Në vitin 2014, shpërtheu një polemikë kur media egjiptiane njoftoi se piramida e Zoser ishte dëmtuar nga punimet e restaurimit.
Vendet arkeologjike janë thelbësore për turizmin në Egjipt, i cili lejon vendin të konkurrojë me destinacione të tjera në të gjithë botën. /Telegrafi/