Telegrafi

Fotoreporteri amerikan Ron Haviv në Prishtinë, tregon përvojat nga zonat e luftës në Kosovë

Për nder të 25 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, fotoreporteri i njohur amerikan, Ron Haviv ishte mysafir në Prishtinë, si i ftuar special i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), që ta prezantojë punën e tij.

Haviv mbajti një ligjëratë të organizuar nga AGK, ku foli për punën e tij ndër vite dhe fuqinë e fotografisë në dokumentin e konflikteve nëpër botë.

Ron Haviv, Fotoreporter

Ai  ndau me publikun njërën nga storiet më të trishta që kishte realizuar në Ballkan.

“Dëgjova që kishin ardhur trupat e Arkanit, besoj që shumica ndoshta keni ndëgju për të. Ai kërcen nga makina që ka ardh dhe fillon të zbrazë qytetin. Dhe e fotografova Arkanin e kisha fotografuar edhe më herët në Kroaci. Po ai tha mund të shkoni dhe të fotografoni këtë qytet. Ne nuk u përballëm më asnjë mysliman që kishte ngreh armë dhe kur mbërritëm atje ishte një xhami. Ushtarët u futën në xhami dhe e vendosën flamurin serb dhe filluan të fotografoheshin. Në dhomën tjetër pashë një djalë të ri dhe ata thanë shikoni se ku është ky luftëtari. Unë thash si? Shikoje atje është një shqiptar nga Kosova dhe kuptohet që ai është një luftëtarë”, shprehet Haviv deri sa tregon ngjarjen, transmeton Telegrafi.

Foto: Ron Haviv, në foto është Hajrush Ziberi

Haviv tutje tregon se si për t’u larguar nga vendi ishte e pamundur nëse nuk kishe leje nga Arkani.

“Për tu larguar nga aty më duhej leje nga Arkani, deri sa doja të largohesha Hajrushin (ai djali i ri), e kishin marrë si të burgosur andaj mendova që nëse e kam të fotografuar të gjithë do të dinin çka ka ndodhur. Pas pak qaste dëgjova një krismë dhe aty ra Hajrushi nga dritarja, aty shpëtoi për fat. Pastaj dikush i tregoi Arkanit që unë kam fotografuar dhe Arkani vjen te unë dhe më thotë më duhen të gjitha fotografitë. Unë kisha fotografuar edhe njw masakër më parë dhe i fsheha, pastaj ia dhashë. Pastaj kërkova Hajrushin dhe asnjëherë më nuk arrita ta shohë”, rrëfen ai.

Ndër të tjera Ron Haviv është një regjisor i nominuar për Emmy dhe fotoreporter i vlerësuar me çmime. Është i përkushtuar për dokumentimin e konfliktit dhe ngritjen e çështjeve të të drejtave të njeriut në mbarë globin.

Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Fondacionit VII jofitimprurës, i cili përqendrohet në projekte dokumentare dhe ofron arsim pa pagesë për gazetarinë pamore.
Haviv ka prodhuar një rekord të patundur të padrejtësive të luftës duke mbuluar mbi njëzet e pesë konflikte dhe fotografia e tij ka pasur ndikim të veçantë.

Haviv ka qenë dëshmitar i ngjarjeve historike që kanë definuar kohën në të cilën jetojmë, nga Kosova, Bosnja, Ukraina, zona Arabe dhe të tjera. Puna e tij në Ballkan, e cila zgjati mbi një dekadë konflikti, u përdor si provë për të paditur dhe dënuar kriminelët e luftës në gjykatën ndërkombëtare në Hagë./Telegrafi/