Një adoleshent nga Alabama e SHBA-ve, fotografia e të cilit është bërë virale pasi është parë duke ecur me kilometra të tëra për të arritur në ceremoninë e diplomimit të tij, është bërë me veturë të re.
Fotografia e Corey Patrick u shfaq shpejt në internet kur një kalimtar rasti e shkrepi, ku shihej duke ecur drejt stacionit të autobusit për të arritur me kohë në ceremoninë e diplomimit, transmeton Telegrafi.
Pasi që familja e tij nuk posedon veturë, 19-vjeçari ishte i vendosur që të mos e humbë rastin që të jetë prezent në ceremoninë e diplomimit në shkollën e mesme Tarrant.
Corey i kishte kaluar katër vite duke u zgjuar në ora 4:30 të mëngjesit që të arrij në kohë për mësim. Pasi që familja e tij ishte vendosur në lagjen West End, atij i duhej çdo ditë të ecte 16 kilometra deri te stacioni i autobusit, dhe më pas të vazhdonte rrugën me transport publik.
Ai ishte i vendosur që t’i vijoj mësimet së bashku me shokët e tij, kështu që nuk e kishte problem të ecte shumë dhe të zgjohej herët në mëngjes.
“Më është dashur ta bëjë atë për vite të tëra”, ka deklaruar ai për WBRC.
Nëna e tij Felicia White, tha se familja e saj nuk kishte arritur që t’i sigurojnë një veturë për ta dërguar në ceremoninë e diplomimit.
Dhe pasi që fotografia e Corey u bë virale në rrjetet sociale, gazetari i një radio lokale Rickey Smiley i kërkoi ndjekësve të tij që ta gjejnë adoleshentin.
Dhe pasi që arritën ta gjejnë, Smiley i dhuroi familjes së Corey një veturë të re, në shenjë respekti për përkushtimin e djaloshit që të shkollohet. /Telegrafi/