Flora Brovina, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, sot gjatë ditës, ka publikuar dëshmi se si ushtarët serbë kanë dhunuar femrat, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Brovina ka thënë se në fotografi shihen ushtarët serbë duke dhunuar një grua në Kosovë, dhe familjarët përreth saj janë disa të vrarë, e disa duke u keqtrajtuar nga ushtria serbe.
Por, a është në të vërtetë fotografia e bërë gjatë luftës në Kosovë?
Me një klikim në Google, Telegrafi ka kuptuar se fotografia që ka zbuluar Brovina, ngjall dyshimet se nuk ka të bëjë me luftën e fundit në Kosovë, por ndërlidhet me një skenë ponografie në Irak.
E për këtë, Telegrafi ka kontaktuar përmes telefonit deputeten Flora Brovina.
Brovina ka mohuar pretendimet se fotografia e gruas së dhunuar e cila u shfaq sot nga ajo, nuk është në Kosovë.
“Fotoja është në Kosovë, ndërsa informatat tjera të gjitha janë rrenë. Edhe kur kanë thënë është nga Rahoveci është rrenë. Ata munden çdokund ta qesin atë foto sepse ka shërbime të ndryshime në Kosovë, dhe mediat po bien pre. Nuk më intereson hiç sepse është rren që po flitet për këtë informatë. Ajo nuk mund të identifikohet fare sepse unë ia kam mbuluar fytyrat dhe vendin e di vetëm unë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, lidhur me këtë pati reagime të ashpra nga deputetë, e nga shoqëria civile, të cilët e quajtën jo etike publikimin e fotografisë së viktimës të dhunës seksuale, e cila sipas Brovinës është gjallë./Telegrafi/