Telegrafi

Fotografi të rralla të Fidel Kastros – nga njeriu që ka pasur mundësi si askush tjetër për të dokumentuar jetën e liderit të Kubës (Foto)

Ish-presidenti dhe udhëheqësi i revolucionit komunist në Kubë vdiq në moshën 90-vjeçare.

Mbështetësit thonë se ai i ktheu pushtetin popullit kuban, ndërsa kritikët e akuzojnë se ka shtypur pa mëshirë opozitën ndër vite.

Ndërkohë fotografi amerikan Li Lokvud na sjell këto imazhe befasuese, të publikuara nga Spiegel, përcjell mapo.al.

Ai ka pasur akses si askush tjetër për të dokumentuar jetën e liderit absolut të Kubës, Fidel Kastros.

Kush ishte Kastro

Fidel Kastro u lind në jug të Kubës në vitin 1926.

Në vitin 1953 burgoset pas përpjekjes së dështuar për të rrëzuar regjimin e Batistas.

Dy vite më vonë lirohet falë një amnestie.

Pak muaj pasi doli nga burgu, bashkohet me Çe Guevaran dhe nis një luftë guerile kundër Qeverisë.

Në vitin 1959 arrin të mposhtë Batistan dhe betohet si Kryeministri i ri i vendit.

Në vitin 1961 shtyp me dhunë kundërshtarët e mbështetur nga CIA në atë që njihet si Gjiri i Derrave në vendin ishullor.

Një vit pas kësaj ngjarjeje pranon vendosjen e raketave bërthamore sovjetike në Kubë, duke kontribuar në kulmimin e Luftës së Ftohtë mes Perëndimit dhe bllokut komunist.

Në vitin 1976 zgjidhet President nga Asambleja Kombëtare. Me rënien e komunizmin në Europë, zbuten tonet me Uashingtonin dhe në vitin 1992 arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për refugjatët kubanë.

Në vitin 2006 deklaron tërheqjen nga posti i Presidentit për çështje shëndetësore dhe dy vite më vonë vëllai i tij, Raul merr këtë detyrë.

Fidel Kastro do të mbahet mend gjithashtu si udhëheqësi jo monark më afatgjatë i shekullit të 20-të.