Telegrafi

Fotografia që dëshmon ndryshimet klimatike – aty ku dikur ishte akull, tani është ujë! (Foto)

Një shkencëtar nga instituti meteorologjik danez, Steffen Olsen, ishte në një mision rutinë në veriperëndim të Grenlandës.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në atë vend ai bëri një fotografi që tregon më së miri se si shpërbërja e Arktikut ka arritur përmasa dramatike.

Siç thuhet tutje, fotot e qenve dhe udhëtimi me sajë me “ecje në ujë” ngadalë u bënë shumë të popullarizuara në rrjetet sociale dhe kjo foto po vlerësohet si një dëshmi tjetër e katastrofave klimatike që planeti Tokë përballet.

Në profilin e tij të Twitter, Olsen shkroi se komunitetet autoktone në Grenlandë mbështeten në akullin e detit për transport, gjueti dhe peshkim dhe se ata do të jenë ndër të parët që do të preken nga shkrirja e tij.

Madje, siç bëhet e ditur më tej, shkrirja drastike e akullit është regjistruar në të gjithë ishullin.

Në Grenlandë ka pasur faza më të hershme të shkrirjes në rritje të akullit, sidomos në periudhën nga qershori deri në gusht, por jo në këto përmasa.

Por shkencëtarët parashikojnë një shkrirje rekord të akullit këtë vit.

Një studiues Thomas Mote, i cili studion klimën në Grenlandë, tha se një situatë e tillë nuk ka ndodhur që nga fundi i viteve 1990.

Shkrirja e akullit mund të ketë një ndikim të madh në rritjen e nivelit të detit, gjë që do të çojë në emigrimin e miliona njerëzve që jetojnë në brigje. /Telegrafi/