25 vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po shënohet me aktivitete të shumta të organizuara nga institucionet e Kosovës.
Në këtë përvjetor ku kujtohet edhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, fotografi i njohur Sefer Aliqkaj ka realizuar një fotografi të pasardhësve të kësaj familje heroike.
Ai ka shkrepur fotografinë e vëllait të Adem Jasharit, Rifat Jasharit së bashku me Shabanin, Hamzën e Ademin e ri.
“Kur shohim këtë fotografi, shohim dy epoka dhe një histori. Para syve na dalin Baca Rifat me babën Shaban dhe vëllezërit, Hamëzen dhe Ademin të cilët ranë për LIRI por bacën Rifat nuk e lanë kurrë vetëm sepse sot pranë tij, të fuqishëm e krenar me emrat që mbajnë, janë Shabani, Hamëza dhe Ademi i ri. Histori e papërsëritshme!”, ka shkruar fotografi Aliqkaj.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje. /Telegrafi/