Telegrafi

Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Naim Frashërit në Tiranë

Lexo po ashtu Pesë herë e nxorën nga dheu: Pamje nga ceremonia e rivarrimit të Naim Frashërit, më 1937 (Foto)

Ky varr u bë e mundur të përurohej vetëm pas tre vjetësh në kohë të Italisë. Varri monumental u ndërtua në oborrin e madh të Kryegjyshatës, duke patur parasysh përkatësinë fetare të poetit dhe vargjet e pafundme që ai i kish kushtuar bektashizmës.

Monumenti ishte i gjithi në mermer të bardhë, në përputhje me stilin monumental të kohës. Mbi të qenë vendosur simbole bektashiane dhe një shqiponjë e madhe dykrerëshe e gdhendur po në mermer.

Në foto shihen autoritetet fetare tek rrinë me respekt në këmbët e varrit, duke pasur në midis, të mbështjellë me flamur kombëtar, arkivolin e vogël me eshtrat e poetit, përpara se të ndryhen në varr. Më pranë tij, qëndron vetë Kryegjyshi Sali Njazi Dedei, i cili do të vdiste vetëm pak muaj më vonë, në 28 nëntor 1940 në një atentat që nuk u sqarua asnjëherë.

Naimi pushoi në këtë varr, pa e ditur se do ta nxirrnin sërisht që andej. Në vitin 1967, në kuadër të mbylljes së institucioneve fetare, eshtrat u nxorën sërish për t’u vendosur në varrin e përbashkët me vëllezërit e tij Abdyl dhe Sami në Kodrat e Liqenit.

Ndërkaq monumenti i vjetër u shkatërrua pa mëshirë, duke i humbur kujtesës sonë kolektive edhe një brilant tjetër.