Kur Austin Douglas erdhi në jetë në javën e 22-të të shtatzënisë së nënës së tij, me një peshë prej vetëm 570 gramë, mjekët paralajmëruan prindërit e tij se fëmija i tyre vështirë se do të mbijetonte.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Austin kishte lindur kaq parakohshëm sa që lëkura e tij ishte e tejdukshme duke i bërë organet e tij të vogla të dukshme dhe veshët dhe mushkëritë e tij nuk ishin zhvilluar siç duhet.
Por tani, pas 10 javësh në spital dhe pas mbijetimit të dy infeksioneve të mushkërive, prindërit shpresojnë se “mrekullia e tyre” së shpejti do të jetë në gjendje të largohet nga spitali dhe më në fund të shkojë në shtëpi.
Foshnjat zakonisht lindin në javën e 40-të, që do të thotë se Austin ishte pak më shumë se në gjysmën e rrugës së zhvillimit të plotë kur ai lindi.
E nëna e tij, Helen ka përshkruar ngjarjen se pse ajo u desh të shkonte në spital para kohe, përcjell Telegrafi.
Ajo përshkroi se kishte dhimbje të tmerrshme në barkun e saj në ditët para lindjes së Austin dhe pastaj gjakderdhje të rëndë.
Ajo tha: “E dija që diçka nuk ishte në rregull. Shkova drejt në spital dhe ata më thanë se nuk kishte asgjë që mund të bënin për të parandaluar lindjen e bebes”.
Mjekët kanë rënë dakord që Austin është “një luftëtar” dhe thanë se ata janë të kënaqur me përparimin e tij, megjithatë paralajmëruan se ai ende ka një rrugë të gjatë për të përballuar. /Telegrafi/