Ambasadori i SHBA-së në Beograd Kyle Scott ka vlerësuar rolin e vendeve të rajonit në rrugën e integrimeve të tyre euroatlantike, duke kërkuar më tepër përkushtim në arritjen e këtyre objektivave.
Ai gjatë një fjalimi në Forumin e Sigurisë në Beograd tha se SHBA ka qenë e fokusuar në rajonin e Ballkanit për më se dy dekada, me qëllim të pajtimit të vendeve të cilat kanë dalë nga lufta në ish-territorin e Jugosllavisë në vitet e nëntëdhjeta.
“Fokusimi në rajon ishte kërkimi për pajtimin e vendeve të dala nga konfliktet e dhunshme të viteve të nëntëdhjeta, por edhe ripajtimin ndërmjet fqinjëve dhe për të ecur përpara në ndërtimin e një të ardhme, e cila do të krijohet në rritjen ekonomike në vendet e rajonit dhe në forcimin e demokracisë të bazuar në sundimin e ligjit dhe e mbështetur nga mediat e lira. Çelësi kryesor i gjithë kësaj ishte procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, si një motiv i duhur për përpjekjet e reformave në dekadat e fundit”, u shpreh diplomati amerikan.
Ai ka folur edhe rreth ndihmës që vendi i tij ka dhënë për Serbinë në ndërtimin e rrugëve, spitaleve, por edhe në forcimin e gjyqësorit, policisë, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsioni dhe krimit të organizuar.
Scott u shpreh se pavarësisht problemeve, kërkohet më tepër përkushtim në proceset integruese dhe se është optimist për të ardhmen e rajonit.