Vetëm pak ditë pas vendimit për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i Partisë Demokratike, ka ardhur lëvizja e parë zyrtare brenda partisë, kundër Lulzim Bashës.
Në një shkresë drejtuar sekretarit të përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, kryesia e forumit rinor të PD kërkon referendum të brendshëm për çështjen Berisha.
Përmes një peticioni të firmosur nga 30 anëtarë të kryesisë, FRPD e cilëson vendimin e Bashës në shkelje të plotë me statutin dhe parimet e Partisë demokratike.
Sipas forumit rinor të PD, veprimi i ndërmarrë nga lideri demokrat mbart rrezikun për përçarje të partisë.
E për këtë arsye ata kërkojnë që vendimi i kryedemokratit t’i nënshtrohet një referendumi në anëtarësinë e partisë; kjo si e vetmja mënyrë për të ruajtur unitetin e PD.
Nga ana tjetër, edhe vet Berisha e ka cilësuar si të gabuar veprimin e Bashës dhe të pabazuar në statut. Për këtë ish kryeministri ka nisur edhe një betejë, me qëllim sipas tij, rikthimin e sovranitetit në Partinë Demokratike. Takimi i parë i lajmëruar nga Berisha me anëtarësinë, është planifikuar të enjten pasdite.
Basha e përjashtoi Berishën pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit, që e e ka shpallur non grata atë dhe familjen e tij. /Vizion Plus/