Site icon Telegrafi

Forumi i Paqes në Pejë, Asllani: Roli jonë është që të parandalojmë konflikte, të ndërtojmë paqe

Sot në Pejë për herë të parë po mbahet Forumi i Paqes, përkrahur nga Rotary Club Peja dhe Universiteti “Haxhi Zeka”, gjersa temë e forumit është “ndërtimi i paqes në një botë rivaliteti”.

Forumi i Paqes në Pejë ka mirëpritur ekspertë, paqe ndërtues, profesionistë dhe liderë të njohur nga SHBA, Gjermania, Italia, Ukraina, Japonia, Kolumbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.

Themeluesi i Forumit të Paqes në Pejë, Neshad Asllani tha se roli i tyre si rotarianë është që të parandalojnë konflikte dhe të ndërtojnë paqe.

“Sot do të flasim për ndërtimin e paqes në botën e rivaliteteve… Paqja është më shumë se mungesa e luftës…ajo është gjithashtu mungesa e varfërisë, papunësisë dhe pabarazisë”, tha Asllani.

Tutje, themeluesi i Forumit të Paqes në Pejë tha se vizioni i Paqes është një përpjekje e vazhdueshme për të arritur mirëkuptim në mes të njerëzve, bashkëpunimin në mes të shteteve, organizatave joqeveritare, sektorit privat dhe shoqërisë civile.

Ai bëri të ditur se në kuadër të Forumit të Paqes në Pejë do të jenë pesë panele ku do të diskutohet për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin e paqes. /Telegrafi/

Exit mobile version