Nën organizimin e Odës Ekonomike të Izmirit dhe Shoqatës Kosovare për Arsim u organizua forumi ekonomik “Ditët e Biznesit Kosovar”.
OEK njofton se ngjarja u ndoq nga afro 200 biznese nga Izmiri, duke treguar potencialin e fortë për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Oda Ekonomike tutje shprehu falënderimet për përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Izmirit, Shoqatës Kosovare për Kulturë dhe Edukim për mbështetjen dhe kontributet e tyre të paçmueshme.
“Pjesëmarrja e një numri kaq të madh biznesesh është një konfirmim i qartë i gatishmërisë dhe entuziazmit për bashkëpunim”, tha kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.
Në njoftimin për media thuhet tutje se në forum pati diskutime të frytshme me komunitetin e biznesit të Izmirit, duke theksuar mundësitë për investime dhe bashkëpunim në sektorë të ndryshëm si energjia, miniera dhe prodhimi. Kompanitë e biznesit nga Izmiri bënë shumë pyetje rreth mundësive të investimit në Kosovë, duke treguar një interes të madh për të eksploruar këto mundësi më tej.
Këtij diskutimi i parapriu prezantimi mbi promovimin e Kosovës dhe mundësitë që ofron.
“Në fund të Forumit Ekonomik në Izmir të gjithë ranë dakord për të organizuar një vizitë të bizneseve nga Izmiri në Kosovë, duke forcuar më tej lidhjet tona dhe duke eksploruar mundësi të reja për bashkëpunim”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/