Site icon Telegrafi

Forumi Ekonomik i Grave reagon lidhur me tërheqjen e Ligjit të Punës nga Programi Legjislativ për vitin 2024

Forumi Ekonomik i Grave, përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, kanë shprehur shqetësimin lidhur me tërheqjen e Projektligjit të Punës nga Programi legjislativ për vitin 2024.

“Si përfaqësues të shoqërisë civile, ne jemi thellësisht të përkushtuar për të promovuar drejtësinë sociale, barazinë gjinore dhe prosperitetin ekonomik në Kosovë. Është thelbësore që sa më parë të pranohet se leja e lehonisë dhe ajo prindërore, luajnë një rol kyç në mbështetjen e shëndetit, mirëqenies dhe fuqizimit ekonomik të grave dhe familjes në përgjithësi”, thuhet në letrën e tyre publike.

Forumi Ekonomik i Grave më tej thekson se çdo vonesë në sjelljen e ligjit të ri të punës po cenon qasjen në lejen adekuate të lehonisë dhe prindëror, dhe të atësisë jo vetëm që kontribuon në mirëqenien sociale, ekonomike dhe emocionale të nënave dhe të posalindurve të tyre dhe familjes, por gjithashtu ndihmon në zbutjen e hendekut gjinor të pagave dhe promovimin e pjesëmarrjes më të madhe të fuqisë punëtore në tregun e punës, duke përfshirë të drejtat e përshkruara në konventa siç është Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW).

Reagimi i tyre i plotë:

I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,
Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati,

Forumi Ekonomik i Grave, në mbështetje të organizatave tjera të shoqërisë civile, po ua drejtojmë këtë letër publike në shenjë proteste lidhur me tërheqjen e Projektligjit të Punës nga Programi Legjislativ për vitin 2024.

Mos planifikimi i miratimit të këtij projektligji edhe në vitin 2024, siç keni premtuar në takimet e përbashkëta gjatë tërë vitit 2023, që projektligji do të miratohet në muajin dhjetor 2023 nga Qeveria, jo vetëm që ndikon në përkeqësimin e kushteve të punës së punëtorëve dhe mos krijimin e kushteve më të favorshme për të bërit biznes në Kosovë për investitorët e huaj e punëdhënësit kosovarë, gjithashtu pengon përparimin në çështje kritike si pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës, leja e lehonisë dhe prindërore, kontratat e punës si dhe modernizimi i politikave të punës sipas standardeve ndërkombëtare.

Si përfaqësues të shoqërisë civile, ne jemi thellësisht të përkushtuar për të promovuar drejtësinë sociale, barazinë gjinore dhe prosperitetin ekonomik në Kosovë. Është thelbësore që sa më parë të pranohet se leja e lehonisë dhe ajo prindërore, luajnë një rol kyç në mbështetjen e shëndetit, mirëqenies dhe fuqizimit ekonomik të grave dhe familjes në përgjithësi. Çdo vonesë në sjelljen e ligjit të ri të punës po cenon qasjen në lejen adekuate të lehonisë dhe prindëror, dhe të atësisë jo vetëm që kontribuon në mirëqenien sociale, ekonomike dhe emocionale të nënave dhe të posalindurve të tyre dhe familjes, por gjithashtu ndihmon në zbutjen e hendekut gjinor të pagave dhe promovimin e pjesëmarrjes më të madhe të fuqisë punëtore në tregun e punës, duke përfshirë të drejtat e përshkruara në konventa siç është Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW).

Megjithatë, mungesa e legjislacionit gjithëpërfshirës të punës dhe politikave dhe praktikave moderne të punës, i minon këto parime dhe pengon zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës. Për më tepër, vonesa në miratimin e Ligjit të ri të Punës me dispozitat për rregullimin e kontratave të punës sipas standardeve ndërkombëtare, dispozitat për rregullimin e lejes së lehonisë dhe prindërore, dërgon një mesazh shqetësues për angazhimin e qeverisë për avancimin e barazisë gjinore. Çdo vonesë vazhdon të thellojë problemet kyçe, veçanërisht:

• Grave do të vazhdohet t’u ndërpriten kontratat nga punëdhënësit e tyre, vetëm për shkak të shtatzanisë apo planeve të tyre familjare;
• Gratë dhe burrat nuk do te kenë mundësi të përfitojnë nga leja e lehonisë, prindërore dhe atësore, gjë që hulumtimet e kanë ndërlidhur direkt me diskriminim dhe cenim të qasjes së barabartë në treg të punës;
• Gratë do të vazhdojnë të ngacmohen seksualisht në vend të punës, pasi që ligji aktual i punës nuk e rregullon ngacmimin seksual dhe dhunën në punë;
• Gratë do të vazhdojnë të jenë pa zgjidhje për kohën që u duhet për gjidhënie, siç e parasheh legjislacioni i BE-së;
• Puna e papaguar e grave dhe puna nga shtëpia do të vazhdojnë të jenë të parregulluara, dhe si rrjedhojë gratë do të qëndrojnë jashtë mundësive për të përfituar nga benefitet sociale nga marrëdhëniet e tyre të punës.

Është e domosdoshme që Kosova të demonstrojë përkushtimin e saj në respektimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ne, i bëjmë thirrje qeverisë që të marrë masa të menjëhershme për të adresuar këto çështje të ngutshme. Konkretisht, ju bëjmë thirrje që të trajtoni me prioritet vendosjen e Projektligjit të Punës në Programin Legjislativ 2024 , duke n’a përfshirë dhe konsultuar në fazat e hershme të hartimit dhe të përshpejtoni miratimin e tij me dispozita që adresojnë si vijon:

• Sigurohuni që Ligji i ri i Punës të përfshijë dispozita të qarta dhe të zbatueshme për pushimin e lehonisë dhe prindërore, duke përfshirë kohëzgjatjen dhe kompensimin adekuat dhe sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës për gratë;
• Rregullimin e politikave që adresojnë përmirësimin e kushteve të punës, me theks të veçantë tek kontratat e punës, formalizmin e punëve të shtëpisë (domestic workers) që kryhen nga gratë;
• Modernizimin e politikave të punës, duke përfshirë përafrimin e legjislacionit të punës së Kosovës me direktivat e BE-së sipas zotimit të Qeverisë për zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA), në veçanti rregullimin e politikave për Balancën Punë-Jetë dhe aranzhimet për oraret fleksibile të punës;
• Përshpejtimin e miratimit të legjislacionit për Fondin për Sigurime Sociale si kërkesë e Nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
1. “Kujdesi shëndetësor dhe sigurimi social rregullohen me ligj. 2. Sigurimi social themelor, që ka të bëjë me papunësinë, sëmundjen, aftësitë e kufizuara dhe moshën e shtyrë, rregullohet me ligj”.

Është prioritet që Qeveria të pranojë se adresimi i këtyre çështjeve është thelbësor për nxitjen e një tregu pune të drejtë, gjithëpërfshirës dhe konkurrues në Kosovë. Duke i dhënë përparësi

modernizimit të legjislacionit të punës dhe praktikave të punës, Qeveria mund të krijojë një mjedis më të favorshëm për krijimin e vendeve të punës dhe të bërit biznes, si dhe të përmirësojë kushtet e punës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Duke ju falënderuar për vëmendjen tuaj për këtë çështje, ne ju bëjmë thirrje që të demonstroni lidership dhe vullnet politik siç keni premtuar në adresimin e këtyre sfidave urgjente dhe përmbushjen e përkushtimit të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe drejtësinë sociale.

Sinqerisht,

Forumi Ekonomik i Grave – Instituti Riinvest; Rrjeti i Grave të Kosovës(RrGK); Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D); Qendra Kosovare për Studime Gjinore(QKSGJ); Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase(RROGRAE); Kosova – Women 4 Women; Insituti GAP;Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion –QIKA, Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS. /Telegrafi/

Exit mobile version